Cilësia e ulët në arsim, politizimi i sistemit arsimor dhe zgjedhja e drejtorëve të shkollave përmes politikës, parregullsitë në testin e maturës, rezultatet e dobëta në testin PISA, do të mbesin disa nga problemet kryesore që është ballafaquar sektori i arsimit edhe në mandatin e ministrit të Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë (MASHT), Arsim Bajrami.
Ndonëse është premtuar, këtyre problemeve nuk u është gjendur ende zgjidhje as në tre vjetët e fundit të punës së kësaj ministrie të udhëhequr nga ministri, Arsim Bajrami.
Njohës të çështjeve të arsimit kanë kritikuar punën që është bërë gjatë kësaj periudhe në fushën e arsimit, duke konsideruar se ka munguar një vizion i qartë për ndryshimin e gjendjes në arsim.
Por kritika janë dhënë edhe për disa nga punët që janë bërë nga kjo Ministri, si Korniza kurrikulare, mosmiratimi i Ligjit për arsimin e lartë, plani strategjik për arsim të Kosovës (PSAK) 2017-2021.
Nga ana tjetër, ministri i Arsimit, por as këshilltarë të tij nuk kanë komentuar rreth punës së kryer gjatë mandatit të tyre dhe mosrealizimin e synimeve kryesore që i kanë pasur. (Koha Ditore)