Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka marrë vendim që Projektligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës ta kthej mbrapsht për rishqyrtim, raporton Ekonomia Online.
Deputetët vendosën që të bëhen ndryshime në neni 24 paragrafi tre, ndryshime këto që iu kërkuan komisionit funksional për Shëndetësi.
Kryetari i komisionit Shkëmb Manaj ka thënë se ky projektligj kufizon disa prej të drejtave të njeriut.
“Ku projektligj i kufizon disa prej të drejtave të lirive të njeriut për shkak të gjendjes emergjente dhe këtu duhet me shikuar a hyn edhe kjo te ankesat .Duke par specifikat që ka ky ligj ndoshta mund të kufizohet edhe e drejta ankesës në këtë rast”.
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se me përjashtim të prokurimit publik bien poshtë i gjithë procesi dhe nuk ka përjashtim të konkurrencës.
“Kur vjen puna te shmangia e ligjit të prokurimit publik atëherë ankesa nuk ke. Kur përjashtohet ligji i prokurimit publik bie poshtë i gjithë procesi dhe nuk ka as ankesa me pa dhe është një formë e negocimit direkt, por jo e përjashtimit të konkurrencës, mirëpo kështu qysh po e sheh ne po e komplikojmë punën”, tha ai, raporton EO.
Deputeti i VV-së, Artan Abrashi ka kërkuar që komisionit funksional t’i dërgohet mbrapa në riformulim duke pasur parasysh rastet e përjashtimit që i parasheh Ligji për prokurimi publik.