Anëtarët e Komisionit të Kuvendit për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media, kanë pritur në takim një delegacion të deputetëve nga Afrika Qendrore, me qëllim të rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i këtij komisioni, Mergim Lushtaku, tha se është kënaqësi që po zhvillojnë këtë takim, duke i falënderuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Ai tha se takime e tilla janë të mirëseardhura, të cilat rrisin bashkëpunimin mes dy vendeve.
“Në media tona ka qarkulluar lajme që është tërhequr njohja nga Afrika Qendrore, por ju nuk keni bërë një akt të tillë, por doni të rrisni marrëdhëniet mes dy vendeve. Kosova ka pasur një sfidë deri te pavarësimi i saj. Takime të tilla janë të mirëseardhura sepse mund të jemi zëri i mbështetjes ndërkombëtare. Do të diskutojmë në kuvend edhe vizitën në Afrikë dhe një ftesë për ju që të vini me kryetaren në Kosovë”, tha Lushtaku.
Përfaqësuesi nga Afrika Qendrore, Benjamin Kaigama, tha se në Kosovë janë në emër të Kryetares së Asamblesë, për të treguar admirimin për Kosovën.
Ai tha se shteti i tij, përballet me probleme të natyrës politike dhe ushtarake.
“Qe 20 vjet janë në krizë politike dhe ushtarake. Vendi është shumë i pasur prej resurseve natyrore, 5 milion njerëz si popullatë. Kosova ka qenë në të kaluarën qysh është vendi jonë sot. Kam ardhur në emër të kryetares së asamblesë dhe kam dërguar admirimin për Kosovën dhe gjërat që kemi arritur. Ne kemi marrëdhënie të mira me Kosovën edhe pse diplomacia ndërkombëtare nuk na ka bërë të mundur të kemi raportin më të mire”, tha ai.
Deputeti Benjamin Kaigama, tha se janë duke forcuar marrëdhëniet mes dy popujve.
Agon Batusha, anëtar i komisionit tha se është i nderuar për vizitën e deputetëve nga Afrika Qendrore në Kosovë.
Ai tha se me Afrikën Qendrore kanë të përbashkët moshën mesatare të popullsisë 20 vjet.
“Është esenciale për dy parlamentet tona të shpërndajmë përvoja. Legjislacioni jonë është ndër më të mirat që ka bota demokratike, sidomos në aspektin e të drejtave të njeriut”.
Batusha shtoi se Kosova aplikon ligjet me moderne në fushën e medies.
Lushtaku në fund të takimit, në shenjë miqësie ia dha një dhuratë Benjamin Kiagamas nga Kuvendi i Kosovës.