Fondacioni Friedrich Ebert (FES) në Prishtinë është duke e prezantuar draft-statutin për “Asociacionin e Komunave në të cilat Komuniteti Serb i Kosovës është Shumicë”, i hartuar nga kjo organizatë në partneritet me Institutin Evropian për Paqe (EIP).
Në këtë ngjarje të pranishëm janë deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, zyrtarë të ambasadave të huaja në Kosovë si dhe personalitete tjera të njohura për opinionin.
Të pranishëm janë Alban Krasniqi – këshilltar i jashtëm i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Sami Kurteshi.
Prezent është edhe Veton Surroi si pjesë e ekipit të ekspertëve të angazhuar nga Grupi për Ballkan. Në mesin e tyre shihen edhe zyrtarë nga Ambasada Norvegjeze.
Rene Schlee nga Friedrich-Ebert-Stiftung ka thënë kjo është vetëm një pikënisje për diskutime.
“Duhet të bëjmë përpjekje, gjatë këtij procesi të normalizimit të marrëdhënieve ka pasur shumë raste që është dashur të bëhen draftime të shpejta. Objektivi ynë ka synim lehtësimin e diskutimeve duke u bazuar në propozimin konkret. Nuk ka pasur shumë progres, deri sot askush nuk ka prezantuar një propozim konkret”, ka thënë ai.
Publikimi i këtij drafti po bëhet një ditë para diskutimit për Asociacionin në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, ku kjo e fundit ka ftuar përfaqësues të shoqërisë civile, qeverisë e përfaqësues politikë që të diskutojnë për ketë temë.
Klikoni KËTU për ta lexuar draftin e plotë në gjuhën angleze.