Kryeministri Ramush Haradinaj e pranon që gjendja e Telekomit është e rëndë dhe tha se do të bëjë kufizime.
“Ajo që na ka mbetë neve është dëmi, dhe kjo don një plan biznesi. S’ka qysh me dalë ndryshe pa e gjetë një plan biznesi. Bëni kujdes në lidhje me kontratat, sepse një herë e kemi hëngër një arbitrazh. Ne e kemi marrë një vendim dhe tash po i bartim pasojat”.
“Gjendjen e kemi të rëndë, ndërhyrja ka ndodhë. Ne do të bëjmë kufizime. Është një gjendje e rëndë që e ka gjetë kjo qeveri dhe nuk po pritojmë me u marrë me këtë temë. Unë mund të bëj thirrje edhe nga këtu për prokurorinë, mirëpo e shfrytëzoj ndonjë kanal tjetër të punës”.
Ai tha kështu pas deklarimit të Albin Kurtit, i cili u shpreh se gjendja e Telekomit të Kosovës është pasojë e krimit të organizuar.
“Telekomi nuk është fatkeqësi mbinatyrore, por krim i organizuar. Problemi i qasjes së kryeministrit është se nuk po mundohet të luftojë krimin e organizuar. Kontrata me Z-mobile ishte krim i organizuar. Prandaj kryeministër shkarkoje bordin, ndërpreje kontraten me Z- mobile dhe bëji thirrje prokurorisë që të hetojë”.
Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendoje i bëri thirrje Prokurorisë që t’i fillojë hetimet, raporton Ekonomia Online.
“Po e shoh që kemi pajtim të gjithë për nxjerrje nga kjo situatë. Unë po i bëj Prokurorisë ftesë, filloni hetimet, korrupsioni e hajnia janë të dukshme, filloni hetimet”, tha ai.
Driton Selmanaj nga LDK-ja tha se qeveria duhet të kërkojë një auditim të thellë në Telekom.
“Një nga armiqtë më të mëdhenj të Kosovës thoshte çfarë po kërkojnë shqiptarët e Kosovës, thonin pavarësi, ai qeshte e thoshte po nuk dinë me e mbajtë as 24 orë. Nuk mund të besoj që kemi ardhur deri në këtë situatë, e shkatërruam Trepçën, e shkatërruam Postën. Qeveria do te duhej të kërkonte një auditim të thellë se çfarë ka ndodhur brenda”.