Ka vazhduar sot në Lipjan cikli i debateve të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës me qytetarë të qendrave të ndryshme komunale.
Aktiviteti “Ditët e Kuvendit”, i iniciuar nga Forumi për Transparencë Parlamentare dhe i mbështetur nga NDI, ka për qëllim t’u jap shansin qytetarëve të komunave të ndryshme të kenë komunikim direkt me përfaqësuesit e tyre për t’i shprehur shqetësimet dhe kërkesat.
Deputetët: Naser Osmani (LDK), Glauk Konjufca (LVV), Ahmet Isufi (AAK), Sali Salihu (PSD) dhe Haxhi Shala (Nisma), u janë përgjigjur qytetarëve në adresimet e tyre lidhur me çështjet që ata i preokupojnë, nga problematikat lokale, deri te zhvillimet e rëndësishme shtetërore.
Ndryshimi i ligjit zgjedhor ishte njëra prej çështjeve që u diskutua në këtë takim.
Qytetarët kërkuan krijimin e më shumë zonave zgjedhore, në mënyrë që secili deputet të ketë bazën e caktuar elektorale.
Fjalori i deputetëve në Kuvend, Ligji për pensionet e mësimdhënësve të viteve të ’90-ta, parimi i barazisë dhe drejtësisë për qytetarët, kushtet e punës për punëtorët e sektorit privat, liberalizimi i vizave, Ligji për barazi gjinore, pagat e deputetëve, Ushtria e Kosovës, qasja e mediave ndaj punës së Kuvendit, paga minimale, shkalla e papunësisë, zhvillimi ekonomik, largimi i të rinjve nga vendi, formimi i strukturave përcjellëse të FSK-së, formimi i një fondi emergjent për çdo komunë, gjendja në veri të Kosovës, mosshfrytëzimi i pasurive natyrore të vendit, gjendja në sektorin e bujqësisë, enti i punësimit, infrastruktura dhe investimet në qytetin e Lipjanit, nisja e një hulumtimi i tregut të punës, pjesëmarrja e deputetëve në seanca plenare, ishin disa nga problemet që qytetarët e Lipjanit i theksuan para përfaqësuesve të tyre të zgjedhur.
Brengosje e qytetarëve ishte edhe mospajtimi i deputetëve midis tyre për vendimmarrje të përbashkët, kur vjen puna te çështje me rëndësi nacionale.
Deputetët prezentë, nga ana e tyre, u përgjigjën në çështjet e ngritura dhe pyetjet e shtruara.
Duke falënderuar qytetarët për prezencën e tyre, ligjvënësit i konsideruan takimet e tilla mjaft të rëndësishme edhe për vet ata.