Komisioni Parlamentar për Stabilizim-Asociim dhe Këshilli për Stabilizim-Asociim kanë mbajtur sot mbledhjen e parë të përbashkët, në të cilën është diskutuar lidhur me zbatimin e agjendës së reformave evropiane (ARE), përfshirë rrjedhën e përmbushjes së obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA).
Takimi është kryesuar nga nënkryetari i Kuvendit, njëherësh kryetar i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim, Xhavit Haliti, i cili vlerësoi se takimi i sotëm është mundësi e mirë për t’u njoftuar më për së afërmi me rrjedhën e përmbushjes së obligimeve që dalin nga marrëveshja e MSA-së. “Komisioni, si dhe Këshilli për Stabilizim-Asociim ndajnë një qëllim të përbashkët për sa i përket procesit të integrimit evropian”, theksoi Haliti.
Në vijim, fjalën e mori ministri Ministrisë së Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i cili me këtë rast tha: ”Ky takim i përbashkët është i një rëndësie të veçantë për sa i përket koordinimit për detyrat të cilat na presin për të zbatuar marrëveshjen e MSA-së. Nga viti i kaluar, kemi një shpejtësi të re të lëvizjes tonë drejt BE-së”, theksoi ministri Hoxhaj, ndërsa njoftoi për hapat që janë ndërmarrë në përmbushjen e obligimeve që dalin nga marrëveshja me BE-në.
Më pas, anëtarët e Këshillit për Stabilizim-Asociim, përkatësisht ministrat e kabinetit qeveritar: Avdullah Hoti, ministër i Financave; Dhurata Hoxha, ministre e Drejtësisë; Arsim Bajrami, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë; Hanefi Muharremi, zv/ministër i Infrastrukturës; Hykmete Bajrami, ministre e Tregtisë dhe e Industrisë; Arban Abrashi, ministër i Punës dhe i Mirëqenies Sociale; Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik; Mimoza Ahmetaj, ministre e Integrimeve Evropiane dhe MahirYagcilar, ministër i Administratës Publike, njoftuan për punën dhe veprimet e ndërmarra në përmbushjen e obligimeve që dalin nga marrëveshja me BE-në.
Duke shprehur përkushtimin e tyre për përmbushjen e obligimeve ndaj MSA-së dhe realizimin në tërësi të Agjendës së Reformave Evropiane, Komisioni, si dhe Këshilli për Stabilizim-Asociim, vlerësuan se marrëveshja e MSA-së është marrëveshje historike, e cila përcakton të ardhmen e vendit tonë.
Duke pasur parasysh rëndësinë e jetësimit të marrëveshjes, ndërkaq, duke mos përjashtuar sfidat në realizimin e saj, anëtarët e Komisionit, si dhe Këshilli për Stabilizim-Asociim, u dakrduan që takime të tilla të mbahen edhe në të ardhmen.