Deputetët e rinj të “Listës Serbe” në Kuvendin e Kosovës, njerëz të afërt me Daçiqin

Prishtinë | 18 Nën 2022 | 13:36 | Nga Ekonomia Online

Javët e kaluara ishin me plot tensione në veri të Kosovës ku serbët lokal të nxitur nga mafia dhe shërbimet intelegjente nga Beogradi po rezistonin për ndryshimin e targave në ato të Republikës së Kosovës.

Në fillim ishin kryetarët e katër komunave të cilët ofruan dorëheqje nga institucionet e Republikës së Kosovës, pas tyre policët me heqjen e uniformave dhe pastaj deputetët e Listës Serbe të kontrolluar nga Aleksandar Vuçiqi.

Ata filluan me shantazhin e tyre të zakonshëm, ku me anë të tërheqjes nga insititucionet dëshirojnë të demonstrojnë fuqinë e tyre politike. Përgjigja nga Qeveria e Kosovës ishte se ata do të zëvendësohen me deputët tjerë të cilët janë në pritje në listën e KQZ-së.

Kërkesa u është drejtuar Listës Serbe dhe nëse dhe ata refuzojnë, ateherë ftesa iu bëhet nga partitë tjera t cilat ishin pjesëmarrëse në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Njëra ndër to ishte edhe partia e Rada Trajkoviqit, si dhe nga partia e Nenad Rashiqit që ishin pjesëmarrëse në zgjedhjet e fundit, por të cilët nuk arritën të hynin në Kuvendin e Kosovës pas presionit të madh nga Serbia dhe strukturave kriminale në veri të Kosovës.

Nga frika se serbët tjerë do të hynin në Kuvendin e Kosovës dhe pas një marreveshjeje në Bruksel për t’i ulur tensionet në veri, nëntë deputetët tjerë të Listës Serbe të cilët ishin në pritje në regjistrin e KQZ-së pranuan që ta bëjnë zevendësimin e deputetëve të larguar dhe bllokimin e atyre të cilët nuk janë në taborin e tyre.

Karakteristikë e nëntë deputeteve të tjerë të cilët hynë në Kuvendin e Kosovës është se shumica nga ta janë edhe anëtarë të Partisë Socialiste Serbe me degë në Kosovë.

Presidenti serb Vuçiq, me këtë gjest, tenton ta largojë presionin nga ndërkombetarët që fajin për hapat e ardhshëm të Listës Serbe, në pjesët tjera të Kosovës, t’i drejtojë nga Ivica Daçiqi, i cili me politikat e tij është më afër Rusisë, ndërsa për ata të veriut në drejtim të Millan Radoiçiqit, i cili është në listën e zezë të Departametit amerikan të Thesarit.

Faktikisht, politika e Listës Serbe është ndarë në jug, e cila udhëhiqet nga Millan Joksimoviq, i cili është kryetar i Partisë Socialiste Serbe (SPS) me degë në Kosovë, konkretisht në Graçanicë dhe atë të veriut me Goran Rakiqin, i cili është kryetar i Partisë Përparimtare Serbe të Vuçiqit (SNS).

Kjo pritet të jetë një sfidë më e madhe për Kosovën dhe faktorin ndërkombëtar, duke e ditur qëndrimin zyrtar të Daçiqit në raport me Rusinë dhe lidhjet e tij me Putinin.

Të ngjashme