Disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë shkuar sot për vizitë në Këshillin e Bashkësisë Islame të Podujevës pas sulmit ndaj imamit të fshatit Lupq të Podujevës Zeqir Berisha nga tre persona, të cilët tashmë janë në mbajtje.
Deputetët Mefail Bajqinovci, Fatmir Humolli, Driton Hyseni dhe Fitim Haziri janë pritur nga kryetari i Këshillit Mensur Hoti dhe kryeimami Bekim Jashari.
“Deputetët kanë shfaqur përkrahjen e parezervë ndaj Bashkësisë Islame të Podujevës dhe kanë inkurajuar zyrtarët e KBI-së që të vazhdojnë në frymën e ruajtjes së paqes e besimit dhe traditës në frymën e ruajtjes së qenies sonë Kombëtare”, thuhet në njoftimin e këtij Këshillit të Bashkësisë Islame.
Sipas njoftimit, deputetët shfaqën shqetësimin e tyre në lidhje me sulmin ndaj imamit Berisha dhe solidarizimin e plotë me familjen e imamit.
“Kryetari Hoti pas falënderimit për vizitën tha se e vlerësoi lart interesimin e deputetëve dhe u zotua që Këshilli i Bashkësisë Islame do të ruajë frymën lart kundër çdo përpjekjeje për qëllime ideologjike që cenojnë imazhin dhe zbehin autoritetin e popullit tonë”.
Imami Berisha aktualisht është duke u trajtuar në spital për lëndimet e rënda që i mori. Gjendja e tij është stabile, sipas mjekëve.