Komisioni për Zhvillim Ekonomik ka vizituar Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), për t’u informuar hollësisht nëse është përmbyllur me sukses procesi i kodit telefonik të Kosovës.
Gjithashtu edhe cilat janë sfidat në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për telekomunikacionin, raporton Ekonomia Online.
Por për të gjitha këto informacione takimi u zhvillua me dyer të mbyllura. Në takim ishin prezent kryetarja e komisionit, Sala Berisha-Shala, deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj si dhe Jeta Krasniqi nga KDI-ja.
Me vonesa në Kosovë ka filluar largimi i kodeve të huaja telefonike dhe përdorimi i kodit shtetëror +383. Në mungesë të kodit telefonik, vetëm Telekomi i Kosovës, që ka shfrytëzuar linjën +377, i ka paguar për shfrytëzim të kodit, 3 milionë euro Telekomit të Monakos, kurse për humbjet komerciale deri në 6 milionë euro.
Kostoja e përgjithshme e shkaktuar nga mungesa e kodit telefonik, sipas të dhënave të Qeverisë së Kosovës, i kanë kushtuar humbje vendit deri në më shumë se 200 milionë euro. Kodi shtetëror i është ndarë Kosovës në dhjetor të vitit 2016, nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU).