Deputetët japin rekomandime për Pakon Fiskale 2.0

Prishtinë | 28 Shk 2017 | 17:10 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, para Komisionit për Zhvillim Ekonomik, ka shpalosur masat fiskale që janë pjesë e Pakos Fiskale 2.0, për të cilat tha se janë bërë në pajtueshmëri të plotë me komunitetin e bizneseve.

Hoti tha se Ministria e Financave ka analizuar të gjitha këto propozime, me ç ‘rast edhe janë zhvilluar analizat përkatëse për ndikimin që do të ketë implementimi i këtyre masave në të hyrat buxhetore si dhe në përgjithësi në ekonominë e vendit, raporton Ekonomia Online.

“Si rezultat, është punuar drejt konceptimit të përmbajtjes së pakos së re fiskale, bazuar në kërkesat dhe nevojat e parashtruara nga komuniteti i biznesit. Fillimisht është përpiluar një listë prej 7 masash, e cila është aprovuar në parim nga Qeveria e Republikës së Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar, për t’i hapur më tej rrugën fazës së diskutimeve publike me komunitetin e bizneseve. Ministria e Financave, së bashku me institucionet tjera relevante ka zhvilluar diskutime të shumta me të gjitha asociacionet e bizneseve, ku janë zhvilluar diskutime shumë konstruktive dhe janë marrë propozime të tjera, qoftë për plotësim të masave aktuale apo edhe për shtim të masave të reja” shtoi Ministri Hoti.

Ndërsa, kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, dhe anëtarët tjerë të këtij komisioni e vlerësuan lart iniciativën e Ministrisë së Financave për pakon e re fiskale, ku sipas tyre ashtu sikurse edhe pakoja e parë fiskale, pritet që kjo pako të ketë ndikim pozitiv në klimën e të bërit biznes, në investimet direkte, në punësim, si dhe në zhvillimin ekonomik.

“Mendoj që këto masa do të ndryshojnë klimën investive,me pakon e parë fiskale një 47 milionë euro kanë mbetur te bizneset dhe ka pasur paralelisht qëndrueshmëri në buxhetin e shtetit. Krejt këto masa janë bërë që të nxiten investimeve”, tha Mustafa.

Anëtarët e komisionit  gjithashtu dhanë rekomandimet e tyre për përfshirjen në këtë pako të re fiskale, dhe theksuan se sa më shpejt që këto masa të jetësohen Kosova do të jetë më konkurrente në rajon dhe më gjerë. Ata vlerësuan lartë këto reforma që janë bërë në sektorin e zhvillimit ekonomik

Deputeti Enver Hoti tha se në aspektin e klimës së investimeve nuk është parë prurje e investimeve të huaja ani pse janë bërë ndryshime në politikat fiskale.

“Në aspektin e klimës së biznesit nuk kemi parë që keni prurje të investimeve dhe gjendja është si mos më keq. Në pakon e dytë nuk po e shoh që keni futur sektorin e ndërtimit dhe ky është sektori me informalitetin më të madh. Në këtë sektorë ka shpëlarje të parasë”, theksoi ai.

E deputeti Raif Qela kërkoi që listës së produkteve për heqje të tatimit t’i shtohet edhe libri.

Të ngjashme