Komisioni parlamentar për Buxhet dhe Financa ka miratuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Automjete, por vetëm në aspektin e kostos buxhetore dhe pa mbështetjen e amendamentin e parë, i cili thotë se kufizimi i importit të veturave rritet 15 vjet, nga 10 sa ka qenë deri më tani.
Ky projektligj ngjalli debat për dhe kundër ndërmjet deputetëve.
Kryetari i komisionit, Lumir Abdixhiku, bëri të ditur se projektligji nuk përmban implikime buxhetore shtesë, por kjo nuk i bindi deputetët që të mos debatojnë, raporton Ekonomia Online.
Ai hodhi në votim propozimin e parë që u miratua dhe propozimin e dytë që ky projektligj të miratohet për nga ana e kostos buxhetore, pa u përmendur amendamenti 1, por kjo nuk u miratua.
Naser Rugova nga LDK-ja tha se ky propozim i komisionit funksional është i dëmshëm sa i përket sigurisë në komunikacion.
“Qarkullojnë shumë automjete të vjetra 10 vjet. Rrugët sivjet kanë qenë të përgjakura, kryesisht për shkak të veturave jo në rregull. Kërkesa për rritje të 5 vjetëve ka me keqësuar gjendjen në komunikacion. Mendoj që duhet me kundërshtu amendamentin, 1 paragrafi 1”.
Dardan Molliqaj nga PSD, ka vlerësuar se ky propozim është i dëmshëm për aspektin e sigurisë në komunikacion.
“Ambienti është shumë me rëndësi. Ajri i ndotur është problem serioz. S’dua ta mohoj edhe pjesën e sigurisë, por është një kundërshtim të standardeve të BE-së. Bëj thirrje me kriju këtë temë në publik dhe m’u rritë presioni që të mos kalojë, sepse mendoj që nuk është i duhur”.
Mërgim Lushtaku nga PDK-ja ka thënë se kërkesa e tij është në përputhje me ligjet e BE-së dhe se nuk ka arsye që ky amendament të mos miratohet.
“Nuk jam që të jemi kundër ligjeve të BE-së, sepse kanë më shumë përvojë. Kam kërkuar mendime nga ministritë dhe nga aspekti ambiental. Këto janë standarde evropiane, nuk i kam shpikur vetë. Qëllimi im kryesor ka qenë aspekti i socio-ekonomisë familjare. Nuk është mirë që një parti e majtë është kundër. Derisa nuk është në kundërshtim me ligjet e BE-së, nuk e shoh të arsyeshme pse mos të miratohet ky amendament”.
Lushtaku ka thënë se ky ligj është në favor të shumicës së qytetarëve sepse, sipas tij, u mundëson atyre që të blejnë veturë më të re.
Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, i replikoi Lushtakut i cili tha se nuk është mirë që partitë e majta ta kundërshtojë këtë pjesë.
“Qëndrimi ynë është në linjë ideologjike, sepse socialdemokratët fokus të parë mirëqenien e njerëzve. Nuk besoj që është prioritet i njerëzve në Kosovë vetura, por ambienti dhe shëndeti. Nuk është interes i qytetarëve”.
Molliqaj ka deklaruar se PDK-ja ka interesa financiare, prandaj sipas tij, kjo parti po e shtyn përpara miratimin e këtij ligji.
“PDK-ja që po e shtyn me kaq ngulm këtë, ka interesa financiare”.
Blerim Kuçi nga AAK-ja tha se me këtë projektligj u mundësohet qytetarëve më shumë mundësi të zgjedhjes.
“Nuk është në kundërshtim me ligjet e BE-së. Të përcaktohemi se ai plotëson kriteret në aspektin buxhetor”.
Lushtaku i ka replikuar më pas Naser Osmanit duke i thënë se nuk është mirë që të bëhet më “katolik se Papa”.
Deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se kur flitet për interesin e qytetarëve është mirë që të shqyrtohet çështja e homologimit të veturave sepse, sipas saj, vetëm një kompani ka krijuar monopol dhe se kosovarët paguajnë më së shtrenjti për këtë proces.
Deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, ka kundërshtuar mënyrën e votimit të kësaj pike.
“Nuk e vendos në rregull në votim. Ne e shqyrtojmë a ka kosto buxhetore, kur s’ka kosto, qysh ke me votu kundër”.
As Blerim Kuçi i AAK-së nuk është pajtuar me mënyrën e votimit të propozuar nga kryetari Abdixhiku, duke thënë se nuk duhet të votohet për amendamente që nuk i përkasin komisionit për buxhet.
Arbërie Nagavci e LVV-së dhe Mërgim Lushtaku i PDK-së janë përplasur verbalisht kur kanë diskutuar lidhur me kërkesën e Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës për caktimin e shumës së pagesës për një anëtar të Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe dy anëtarë të Komisionit për Verifikim dhe Vendosje për Prona.
Nagavci ka reaguar pasi Lushtaku e ka akuzuar atë për hipokrizi.
“Nuk ka të drejtë ta akuzojë dikë për hipokrizi kur ka hipokrizi në fjalimet e veta. Ki kujdes mos më akuzo mua për hipokrizi”.
Është shtyrë për mbledhjen e ardhshme Shqyrtimi i Projektligjit për Gjykatat dhe amendamenteve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, për shkak se Ministria e Financave nuk ka bërë të ditur koston financiare.
Në mbledhjen e sotme është miratuar Projektligji për Produktet e Ndërtimit, ai për efiçiencë të energjisë dhe kërkesa e Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës për caktimin e shumës së pagesës për një anëtar të Komisionit për Kërkesa Pronësore.