Deputetët për tre muaj shpenzuan 25 mijë euro në mëditje e akomodim, prin deputeti i VV-së

Prishtinë | 08 Qer 2022 | 13:45 | Nga Ekonomia Online

Deputetët e Kuvendit nuk e kanë kursyer fare paranë e shtetit kur kanë dal në udhëtime jashtë vendit. Për mëditje e akomodim, ata kanë marrë me qindra mijëra euro. Kjo shihet në raportin e shpenzimeve për tremujorin e parë e vitit 2022.

Deputetët e të gjitha partive i kanë futur në xhepat e tyre goxha para për udhëtimet që i kanë bërë jashtë vendit. Për ditët që ata e kanë përfaqësuar Kosovën në shtete të ndryshëm të botës, si mëditje kanë marrë nga 100 e deri në 1 mijë e 800 euro.

Në raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për tre muajit e parë të këtij viti, të cilin e ka siguruar Demokracia.com tregohet ku kanë udhëtuar deputetët dhe nga sa para i kanë marrë për mëditje dhe akomodim.

Në total te kategoria “Para xhepi – Shpenzime gjatë udhëtimit zyrtar”, nga deputetët janë shpenzuar 12 mijë e 746 euro për tre muaj, raporton Demokracia.com.

Kampion në këto mëditje është deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, ku për një udhëtim në SHBA nga data 16 deri në 27 mars të këtij viti ka marrë mëditje fiks 1 mijë e 888 euro.

Edhe për një udhëtim në Shqipëri, Rrustemi ka marrë nga buxheti i shtetit 117 euro.

Para për këto udhëtime kanë marrë edhe deputetët e tjerë, si Saranda Bogujevci, Avdullah Hoti, Haki Abazi, Dimal Basha, Arben Gashi e shumë të tjerë, në vlera të ndryshme.

Kurse, për një udhëtim në Francë, 12 deputetë të partive të ndryshme, gjatë muajit mars për qëndrim tri deri në katër ditë kanë përfituar nga 370 deri në 490 euro.

Këta deputetë, para kanë marrë edhe për akomodim gjatë udhëtimeve jashtë Kosovës.

Në raportin e shpenzimeve te kategoria “Akomodimi – udhëtim zyrtar jashtë vendit”, tregohet se janë shpenzuar fiks 12 mijë e 746 euro.

Edhe tek akomodimi gjatë udhëtimeve jashtë vendit janë shpenzuar para në vlera të ndryshme, duke filluar më nga 100 e 200 euro dhe deri në 669 euro, si rasti i deputetit Enis Kervan dhe deputetit Arben Gashi, më 661 euro.

Disa para për udhëtime janë shpenzuar edhe nga disa deputetë gjatë udhëtimeve në Turqi, Kroaci e Francë.

Në kategorinë “Shpenzimet tjera” tek udhëtimet zyrtare është treguar se deputetët kanë përfituar nga 20 euro dhe 125 e 239 euro.

Të ngjashme