Deputetët kosovarë s’po e prishin “terezinë” e pushimeve verore pavarësisht diskutimeve që po zhvillohen për ndryshim kufijsh me Serbinë. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se deputetët nuk është dashur fare të shkojnë në pushin në kohën kur Kosova ka hyrë në fazën finale të negociatave me Serbinë e kur në të njëjtën kohë po paralajmërohen koncesione të dhimbshme e korrigjim kufijsh, shkruan “Zëri”.
Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, ka vlerësuar se deputetët nuk është dashur të shkojnë fare në pushim në kohën kur Kosova ka hyrë në fazën finale të dialogut dhe kur po diskutohet për korrigjim të kufijve e për kompromise të dhimbshme.
“Kosova ka kaluar në fazën finale të dialogut, është koha më e rëndësishme për Kosovën, nuk ishte dashur fare që deputetët të shkonin në pushim në këtë kohë për shkak të nevojës që të diskutohen në Kuvend çështjet e dialogut dhe potencialisht mundësia për t’u arritur një kompromis”, ka deklaruar ai.
Sipas Demhasajt, meqë edhe Kryesia e Kuvendit ka shkuar në pushim kërkesa e PSD-së për ta ndërprerë pushimin ka pak gjasa të shqyrtohet.
Demhasaj thotë se takimi i shtatorit në mes të presidentëve në Bruksel do të zhvillohet pa arritjen e një konsensusi në mes të spektrit politik në Kosovë.
“Ai takim do të mbahet sikurse edhe takimet e tjera që janë mbajtur. Nga ajo që po shihet gjasat janë minimale që të ketë një konsensus”, është shprehur Demhasaj.