Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën është bërë shqyrtimi i Raportit të Auditimit për KRU “Prishtina” për vitin 2017, si dhe është diskutuar lidhur me shqyrtimin e Raporteve të Auditimit të Komunave për vitin 2017.
Ky raport i auditorit u vendos që të dërgohet në Kryesi të Kuvendit, në mënyrë që ai të diskutohet në një nga seancat e ardhshme, raporton Ekonomia Online.
Deputeti i LVV-së, Ali Lajçi, tha se kanë 20 rekomandime që dalin si obliguese në aspektin e menaxhimit.
Lajçi tha se ka mospërputhje dhe shmangie të procedurave në menaxhimin e personelit dhe qasjen e kuadrove. Ai ka thënë se këto ndërmarrje janë të ndikuara nga partitë politike.
“Ka arritje por ka edhe mbi arritje, shpesh në këto kompani dominojnë edhe politikat partiake, sidomos në menaxhuesit e këtyre kompanive. Faktikisht duket se kemi një tentim dominimi të anëtarëve në këto borde nga partitë politike”.
Driton Selmanaj ka thënë se ka diferenca prej 33 mijë litra naftë, sipas tij, ka më pak naftë në rezervuar. Ai ka kërkuar të dijë se kah kanë shkuar këto litra me naftë.
Ilir Abdullahu, kryeshef i ndërmarrjes, ka thënë se nuk është bërë vlerësimi i aseteve, ashtu siç e parasheh ligji, por është zotuar se në të ardhmen do ta bëjnë këtë.
Abdullahu ka thënë se për mungesën e 33 mijë litrave naftë po merret drejtësia. Sipas tij, referenti dhe personat që kanë pranuar naftën janë pjesë e dosjes së hetimeve.
“Derivatet e naftës fizikisht janë kontrolluar në dhjetor, dhe kemi mungesë. Pompa nuk i plotëson standardet, kemi suspenduar personin që ka punuar si referent me naftë. Iu kemi drejtuar drejtësisë dhe do të shohim si ka ardhur. Do të vendoset pompa e re, ajo që ka thënë auditori është e saktë. Edhe referenti dhe personat që kanë pranuar naftën janë pjesë e materialit që po merret drejtësia”.
Deputeti Avdullah Hoti ka thënë se humbjet e ujit janë rritur nga 53 në 57 për qind. Sipas tij, pas investimeve pritjet kanë qenë se do të ulen humbjet e jo të rriten.
“Si po reflektohen këto në tarifat që kanë qytetarët. Konsumatorëve u bie që të paguajnë për ujin që nuk e shfrytëzojnë”.
Hoti ka kërkuar të informohet edhe për problemin e qytetarëve të Fushë-Kosovës për furnizim me ujë, të cilët kanë paralajmëruar protestë për shkak të, siç tha, neglizhencës për vendosjen e një gypi uji.
“Kemi parë reagimet e qytetarëve në Fushë Kosovë në mungesë të vendosjes së një gypi, i cili është neglizhuar dhe qytetarët tani janë të gatshëm të protestojnë”.
Abdullahu tha se humbjet e ujit janë si pasojë e keqpërdorimeve dhe furnizimit 24 orë me ujë.
“Humbjet e ujit, kjo është si rezultat i furnizimit 24 orë të rrjedhjeve nën presion. Kurrë s’kemi pasur furnizim më të mirë me ujë. Janë abuzimet me ujë, keqpërdorimet. Pjesa më e madhe e humbjeve është pjesa komerciale. Inkasimi prej asaj që faturohet është 97 për qind vlera monetare”.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se duhet të bëhet auditim për të gjitha ndërmarrjet.
“Çështja e humbjes së ujit, a keni bërë strategji se si do t’i zvogëloni humbjet. Problematike është edhe Fushë Kosova”.
Abdullahu ka thënë se janë optimistë që problemi me mosfurnizim 24 orë me ujë të pijes për Fushë-Kosovën të zgjidhet këtë vit. Ai bëri të ditur se kanë përfunduar 2.2 kilometra tubacion për zgjidhjen e këtij problemi.
“Janë dy alternativa, është koha e fundit të reflektojmë që konsumatorët e Fushë-Kosovës të kenë 24 orë ujë. Jam optimist që kjo punë të kryhet gjatë vitit dhe qytetarët të kenë furnizim”.
Kryetar i komisionit, Driton Selmanaj ka thënë se është mirë që këto çështje të diskutohen në nivel të seancës në mënyrë që këto probleme të mos përsëriten më.
Anëtarët e komisionit u dakorduan që javën e ardhshme të ftojnë në mbledhje edhe Ujësjellësin Rajonal të Prizrenit.