Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave e cilëson shqetësues mos respektimin e rekomandimeve të Zyrës së Kombëtare të Auditorit për shpenzimet nga institucionet publike.
Debatit i ka paraprirë, raportimi i Auditorit të Përgjithshëm , Besnik Osmani për vitin fiskal 2017.
“Për vitin 2016 ne e kemi përfunduar raportin e auditimit. Për vitin 2017 ne kemi zgjeruar raportin në 5 ndërmarrje publike. Me qellim të arritjes së objektivave tona ne e kemi bërë përmirësimin e doracakëve. Sa i përket strukturës së buxhetit , ka qenë 3.2 milion euro. Ne kemi rritur bashkëpunimin edhe me institucionet tjera, siç është AKK dhe ATK etj. Sa i përket bashkëpunimit me prokurorinë, ne i adresojmë çështjet për të cilat nuk jemi kompetent”, deklaroi Osmani.
Deputeti Faton Topalli tha se është shqetësuese mos respektimi i rekomandimeve të auditorit nga institucionet.
“Ky raport paraqet një gjendje shumë të mirë të institucionit. Ajo që është shumë shqetësuese është implementimi i rekomandimeve sepse këto rekomandime nuk implementohen. 72% e rekomandime nuk janë marrë parasysh as nga institucionet qendrore as të pavarura, ndërkaq 76% të rekomandimeve nuk janë plotësuar nga komunat dhe kjo është shqetësuese”, raporton Ekonomia Online.
Ndërkaq, deputeti Zafir Berisha tha se përsëritja e rekomandimeve nga viti në vit nuk ka kuptim.
“Ne kemi rekomandime të pazbatueshme nga njësitë buxhetore nga disa nivele që përsëriten nga viti në vit. Ju keni thënë që keni bashkëpunim me prokurorinë, a ndodhë të bashkëpunoni edhe për shkelje dhe të gjetura gjatë auditimit. Të gjeturat e juaja po hasin në veshin e shurdhur”, tha ai.
Komisioni ka votuar raportin vjetor për funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të financave publike në sektorin publik në Kosovë për vitin 2017.