Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fisnik Ismaili, ditën e parë si deputet në legjislaturën e re e ka nisur me shkelje.
Posa ka përfunduar seancën konstituive, Ismali i ka hipur biçikletës së tij dhe i ka rënë shëtitores mes për mes, sikur shihet dhe në fotografitë e kapura nga foto-reporteri i Ekonomia Online, Florian Syla.
Ngasja e biçikletave nëpër sheshin kryesor në Prishtinë është ndaluar nga Komuna e Prishtinës.
Madje, shenja është e vendosur te dalja e Kuvendit të Kosovës.
Vendimi për ndalimin e ngasjes së biçikletave në sheshet kryesore të kryeqytetit e kishte marrë Drejtoria së Shërbimeve Publike të Komunës, në verë të vitit 2015.
Vetë kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili është bashkëpartiak i deputetit Fisnik Ismaili, e kishte arsyetuar këtë vendim “për shkak të shpejtësisë së madhe, aksidenteve ku janë goditur fëmijët, dhe ankesave të shumta të qytetarëve”.