Deputeti gjerman kërkon rritje të numrit të ushtarëve në KFOR, “Serbia po e kërcënon Kosovën”

Prishtinë | 19 Jan 2023 | 14:15 | Nga Ekonomia Online

Adis Ahmetoviq, politikan nga SPD-ja gjermane, me prejardhje nga Bosnja e Hercegovina, në një intervistë për “Berliner Zeitung” tha se NATO-ja duhet të dërgojë edhe një herë më shumë ushtarë në Kosovë dhe se “kursi etno-nacionalist” i udhëheqjes serbe i kujton atij linjën e Moskës.

“Ku në kontinentin tonë pati sërish konflikte pas vitit 1945? Në Ballkanin Perëndimor, duke filluar nga mosmarrëveshja për Kosovën. Shpërbërja e Jugosllavisë filloi në vitin 1991 me nacionalizmin në rritje në Beograd mbi çështjen se kush e zotëron Kosovën. Bëhej fjalë nëse Kosova është autonome apo duhet të mbetet pjesë e ish-Jugosllavisë. Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 dhe që atëherë më shumë se njëqind vende e kanë njohur Kosovën në OKB, por konflikti ende ekziston. Këtë e tregojnë tensionet dhe kërcënimet për konflikt të armatosur nga Qeveria e Serbisë para disa javësh”, tha deputeti i Bundestagut, Adis Ahemtoviq, transmeton DW.

Më pas ai shprehet se, “përkundër kësaj, rrallëherë ka një debat të gjerë politik për këtë konflikt në Gjermani. Situata është e ngjashme me ngjarjet etno-nacionaliste në Bosnje-Hercegovinë dhe Mal të Zi”, thotë Ahmetoviq, duke shtuar se kjo është “fatale”.

Politikani i SPD-së thotë gjithashtu se “ngjarjet e fundit në Kosovë shpalosën edhe një herë pavendosmërinë e Bashkimit Evropian”.

“Përsëri, SHBA-ja u desh të ndërhynte për të qetësuar situatën”. Prandaj ai beson se “BE-ja duhet urgjentisht të bëhet më e pavarur në aspektin e politikës së sigurisë, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor” dhe shton se i vjen mirë që “kancelari njoftoi një pikë kthese në politikën e jashtme dhe të sigurisë”.

“Është e rëndësishme për sigurinë tonë nëse Trumpi apo Bideni sundojnë në SHBA. Trumpi luajti me idenë e tërheqjes nga NATO-ja dhe donte të zgjidhte problemet në Ballkanin Perëndimor duke lejuar lëvizjen e kufijve, duke u konsultuar me Rusinë. Bideni ka një pikëpamje tjetër. Ai është një fener shprese për njerëzit atje që qëndrojnë pas BE-së dhe demokracisë dhe nuk anojnë nga Moska dhe autokracia”, thotë Ahmetoviq.

“Kursi etno-nacionalist na kujton Kremlinin”

Gazetari i “Berliner Zeitung” thekson se problemet mes Serbisë dhe Kosovës janë në dukje të parëndësishme dhe përmend targat, duke e pyetur Ahmetoviqin se pse është ende i shqetësuar.

“Barrikadat janë ngritur në veri të Kosovës edhe në vitet nëntëdhjetë, pak para shpërthimit të luftërave jugosllave. Së fundmi Serbia e vuri ushtrinë e saj në gatishmëri dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të kujdeset vetë për paqen. Kështu ushtria gati marshoi në një vend tjetër”, thotë politikani gjerman.

Ai shton se, e parë nga jashtë dhe duke marrë parasysh potencialin për konflikte fillestare, situata ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është e ngjashme me atë midis Ukrainës dhe Rusisë, edhe pse në shkallë të ndryshme.

“Unë besoj se situata në Ballkanin Perëndimor do të ishte edhe më e rrezikshme nëse lufta në Ukrainë do të kishte marrë një rrjedhë tjetër. Por, fakti që Perëndimi tani është i bashkuar dhe se Ukraina e kundërshton fuqishëm Rusinë, lë përshtypje te forcat nacionaliste, pra edhe te qeveria e Serbisë. Politikanët serbë kohët e fundit kanë formuluar qëllimin e krijimit të të ashtuquajturës Serbi e Madhe. Kjo mund të ketë sukses vetëm nëse, ndër të tjera, aneksohet Kosova. Ai kurs etno-nacionalist të kujton Kremlinin dhe ka mbështetjen e Putinit”.

“Sa më shumë BE-ja e mbështet Kosovën në demokratizimin e saj, aq më e fortë është përpjekja e Serbisë për ta parandaluar atë – politikisht dhe nëse është e nevojshme edhe ushtarakisht. Përpjekjet e mëparshme të BE-së për të gjetur një rrugë të mesme nuk çuan në rezultatin e dëshiruar. Kjo është arsyeja pse ne duhet të avokojmë vazhdimisht për një qëndrim të unifikuar të BE-së, për të njohur Kosovën në tërësi dhe për të ndalur çdo përpjekje për të lëvizur kufirin. Kjo i shërben paqes stabile të të dyja vendeve”, beson Ahmetoviq.

I pyetur se çfarë duhet të bëjë BE-ja, politikani i SPD-së thotë: “Koha po ikën. Nuk duhet të lejojmë një përshkallëzim tjetër. Nuk duhet të ketë dominim ushtarak të Serbisë ndaj KFOR-it, i cili me 3500 ushtarët e tij aktualisht nuk është mjaftueshëm i fortë – në vitin 1999 kishte pothuajse 50,000 prej tyre. Na nevojiten sërish më shumë ushtarë, përfshirë edhe nga Gjermania”.

“Moska mbështet në mënyrë aktive qeverinë serbe”

Duke iu përgjigjur pyetjes se a është ky qëndrim i gjithë koalicionit qeverisës gjerman, Ahmetoviq thotë se do ta tregojë koha. “Grupi parlamentar i SPD-së e vendosi çështjen e Kosovës në agjendën e Komisionit për Punë të Jashtme të Bundestagut. Ndër të tjera do të duhet të sqarohet nëse ndërkohë ka informacione se Rusia ka dërguar grupe të Wagnerit në rajon për ta destabilizuar më tej. Moska e mbështet në mënyrë aktive qeverinë serbe dhe dëshiron të shkaktojë përçarje në Evropë edhe prej andej”, vlerëson Ahmetoviq.

Në fund të intervistës, gazetari i gazetës gjermane thekson se “gjatë dekadave të fundit, Perëndimi nuk ka lënë shenja të vërteta në promovimin e demokracisë në rajonet konfliktuoze dhe pyet: A nuk është koha për ta reduktuar atë pak?”

“Kjo është një pyetje legjitime”, përgjigjet Ahmetoviq. “Por çfarë do të ndodhte nëse Perëndimi do të qëndronte i përmbajtur në Ballkanin Perëndimor? Supozoj se në fund të dhjetorit 2022, ushtarët serbë do të kishin hyrë shumë shpejt në Kosovë po të mos ishte KFOR-i. Është e ngjashme me Ukrainën. Nëse Perëndimi nuk do ta kishte mbështetur financiarisht dhe me armë, Putini me siguri do t’i kishte arritur qëllimet e tij”, përfundon Adis Ahmetoviq nga SPD-ja gjermane.

Të ngjashme