Deputeti i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gazmend Syla ka reaguar ndaj vendimit të ri për masat kundër pandemisë Covid-19 përmes së cilave nuk lejohet edhe më tutje hapja e tregjeve të makinave dhe kafshëve.
Syla ka thënë se tregu i makinave në Pejë ka rreth 4 hektarë, ndërsa ai i kafshëve rreth 3 hektarë, në të cilët mund të zhvillohet tregtia.
“Qeveria mbrëmë paska marr vendim mos me u hap tregjet e makinave dhe kafshëve. Ky treg në Pejë që e shihni ne foto ka rreth 4 hektarë, ndërsa aj i kafshëve rreth 3 hektarë. Në të gjithë këtë hapësirë nuk po mund të u zhvillojka tregti duke i respektua të gjitha masat e përcaktuara?”, ka shkruar Syla në llogarinë e tij në Facebook.
Ai ka bërë thirrje organeve kompetente që mos të maten me peshoren e tyre, sepse populli po zhytet çdo ditë në varfëri.
“Përderisa populli po zhytet në skamje të thellë, pyetja për organet kompetente është: a ju dalin juve pagat në fund të muajit? Besoj po. Populli thotë po matni me “kutin” (peshoren) tuaj!”, është shprehur Syla.