Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Gazmend Syla ka reaguar ndaj njoftimin nga Komuna e Istogut për rrënimin e objektit të ish-burgut famëkeq të Gurrakocit.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Syla ka thënë se rrënimi i këtij objekti paraqet goditje të dyfishtë, ndaj qytetarëve që janë të strehuar aty, si dhe ndaj kujtesës kolektive.
“Sapo u njoftova për vendimin e Komunës së Istogut për rrënimin e objektit të ish-burgut famëkeq të Gurrakocit. Objekt ky që aktualisht strehon disa familje pa ofruar as kushte minimale për jetesë. Ky vendim për rrënim të objektit, gërmadhë e fundit e mbetur nga ish-burgu, që aktualisht strehon qytetarë, por dikur mbante padrejtësisht në dry aspiratën tonë për liri. Rrënimi i këtij objekti paraqet goditje të dyfishtë: ndaj qytetarëve që vazhdojnë jetën në kushte të tmerrshme si dhe goditjen ndaj kujtesës kolektive”, ka shkruar Syla.
Ai ka thënë se ky burg kishte shërbyer si ndëshkimore brutale ndaj shqiptarëve të Kosovës që nga koha e aksionit të armëve e deri në luftën e fundit.
“Burgu i Gurrakocit kishte shërbyer si ndëshkimore brutale ndaj shqiptarëve të Kosovës që nga koha e aksionit të armëve e deri në luftën e fundit. Ajo hapsirë ka vulën e torturës për gati gjysmë shekulli. Rrënimi i objektit do të ishte goditja finale ndaj sakrificës, gjymtim i temeleve të së tashmës”, është shprehur Syla.
Syla ka kërkuar nga institucionet komunale që vendimi për rrënim të anulohet
.“Kërkoj që vendimi për rrënim të anulohet. Të diskutohet mbi mundësinë e kthimit në muze të atij objekti, ngjashëm si me Burgun e Prishtinës. Familjeve të trehuara aty t’u garantohet banim i qëndrueshëm dhe kushte dinjitoze për jetë”, ka përfunduar Syla.