Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Qeveria e ka dëmtuar kategorinë më të ndjeshme në vend, duke iu referuar vendimit të fundit për mosvazhdimin e dhënies së shtesave për pensionistët.
Tutje, ai tha se AAK-j nuk do të qëndrojë e heshtur deri në rikthimin e shtesës për pensionistë.
Madje kjo parit e ka ftuar në interpelancë ministrin e Financave dhe Transferve, Hekuran Muratin për këtë çështje.
“Qeveria e ka dëmtuar kategorinë më të ndjeshme në vend duke zvogëluar shtesën e pensionistëve e cila edhe ashtu është e pamjaftueshme për të mbuluar koston minimale mujore për një të moshuar”.
“AAK-j nuk do të qëndrojë e heshtur, por do të punojë dhe nuk do të ndalemi deri në rikthimin e shtesës për pensionistë”, shtoi Berisha.
Ai ka folur edhe për mungesën e vaksinës anti-Covid, duke shtuar se në seancën e së hënës presin përgjigje dhe plan konkret nga Qeveria se si do vaksinohet popullata.
“Mungesa e një plani konkret në vaksinimin e popullatës është duke ndikuar në të gjitha sferat e jetës për më tepër humbja e jetëve të qytetarëve vetëm po rritet”.
“Ne kemi një seancë ditën e hënë ku presim përgjigje dhe plan konkret se si do vaksinohet popullata. Kjo neglizhencë e Qeverisë është e papranueshme”, tha ai.
Sipas tij, Qeveria në vend se të përkrahë bizneset po publikon lista të përfituesve në mënyrë që të shantazhojë dhe kërcënojë bizneset të cilat edhe ashtu sipas tij, kanë shumë vështirësi.
“Mungesa e vaksinave po ndikon edhe në ekonomi e cila edhe ashtu është e pazhvilluar. Qeveria në vend se të përkrahë bizneset po publikon lista të përfituesve në mënyrë që të shantazhojë dhe kërcënojë bizneset të cilat edhe ashtu po kanë shumë vështirësi”.
Ekzekutivi ka sqaruar se vendimi i Qeverisë paraprake pas muajit prill nuk kishte planifikuar vazhdimin e dyfishimit të ndihmës sociale dhe shtesat prej 30 eurosh për pensionistët që marrin më pak se 100 euro.