Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, u përplas me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë seancës konstituive të mërkurën. Ai vazhdimisht pyeste deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, se “a i ke kthy 200 mijë euro?”, raporton Ekonomia Online.
Paris Guri e Egzon Pacolli nga Forumi i Rinisë së LDK-së patën dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci dhe Pacollit në nëntor të vitit 2024 pasi pretendonin se vëllai dhe daja i deputetes së VV-së kishin përfituar grante nga 100 mijë euro. Ata thonin se është e papranueshme “që familjarët e deputetes të marrin grante në vlerë prej 100.000 euro”.
Guri e mori fjalën pasi kryesuesi Dehari kërkoi nga LDK-ja ta propozojë një anëtar për komisionin për votim të fshehtë.
Guri, pasi mori fjalën, reagoi ndaj komenteve të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga ulëset e tyre. “A jeni mirë? Çka keni? Qetësohuni! Mos bërtitni si fëmija se i keni do vjet. Qetësohu! Dimal, qetë…”, u shpreh ai në foltore.
Pas një ndërhyrjeje nga regjia, me kërkesë të Deharit, për të ndërprerë mikrofonin, meqë nuk po fliste për temën e kërkuar, Guri kërkoi sërish fjalën dhe iu lejua përsëri të flasë nga kryesuesi.
Në vazhdim ai iu drejtua deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli: “Fitore, çka po keshë ti? A i ke kthy 200 mijë euro? Mos kesh Fitore se marre. Ani ti Halil, ti rri (Thaçi v.j.). Oj Fitore, mos bërtit moj! A i ke kthy 200 mijë euro?”.
Kryesuesi Dehari ndërhyri dhe i kërkoi atij që të japë vetëm propozimin, pa komente shtesë. Por Guri reagoi afër mikrofonit të kryesuesit: “Cirk. Qysh me folë para cirkut?”.
Pas dhënies së fjalës për herë të tretë, Guri vazhdoi me deklarata të drejtuara Pacollit: “Oj Fitore, mos bën me duar. Ktheji 200 mijë euro”/
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërhyri përfundimisht duke kërkuar ndërprerjen e mikrofonit të deputetit të LDK-së.
“Ndërpritet, të lutem, ndërpritet telefoni dhe nuk ka mundësi të vazhdohet më tutje”, tha Dehari.
