Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka thënë se partia e tij do të votojë projektligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, raporton Ekonomia Online.
Në seancën e sotme, Mustafa ka thënë se tërheqja e Trustit është nevojë e qytetarëve kur Qeveria nuk iu del në ndihmë atyre.
“Kur qeveria nuk u del në ndihmë qytetarëve duhet t’i marrin dhe po kërkojnë që këto kursime t’i tërheqin nga Trusti. Nuk ka ditë që nuk na ndalin duke na kërkuar t’ua mundësojmë një pjesë të tërheqjes së Trustit. U bëj thirrje deputetëve të VV-së që të përkrahin këtë ligj. Është e vetmja mundësi që të përkrahni çfarëdo mase. Është mundësi e fundit t’u dilni në krah qytetarëve të Kosovës”, tha ai.
Duke iu drejtuar deputetëve të kësaj partie, Mustafa ka thënë se votimi i këtij projektligji është mundësia e fundit që t’u dilet në krahë qytetarëve të vendit.
“Është mundësia e fundit që t’u dilni në krahë qytetarëve të Kosovës”, tha Mustafa.
Ai përmendi edhe njëherë masat që kishte propozuar partia e tij për t’ua lehtësuar qytetarëve jetën pas rritjes së çmimeve.