Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë se baza e “Non – paper” qëndron në Serbi.
Ai tha se ky dokument nuk mund të ketë bazë tjetër, pos Serbisë.
“Non – Paper e ka një bazë dhe ajo qëndron në Serbi. Nga shtetet të cilat u tha se erdhi, dolën dhe thanë që është fake news, mendoj që problemi parësor i këtij dokumenti është që Kosovën e sheh njëjtë sikurse që e ka parë Serbia për shkëmbim të territoreve”.
Në këtë intervistë, Rexhaj ka folur edhe për pjesëmarrjen e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në zgjedhjet në Shqipëri.
“Vetëvendosje që nga themelimi e ka pasur në program shtrirjen edhe nëpër vendet e tjera shqiptare. Për Albinin nëse në Kosovë është kryeministër, në Shqipëri është qytetar i saj. Ne kemi një kombësi. Nuk e shoh si problem por si mundësi, sepse fundja kosovarët dhe shqiptarët kanë një trung dhe trungu i tyre është shqiptar”.
Për rezultatin, Rexhaj tha se ka qenë i pritshëm pasi këto janë hapat e parë të shtrirjes së Vetëvendosjes atje.
Ndër të tjerash, Rexhaj ka folur edhe për vaksinat duke thënë se nuk ka dështim dhe se një pjesë e tyre do të mbërrijnë së shpejti, njofton Klan Kosova.