Një ditë pasi kreu i LDK-së Isa Mustafa paralajmëroi se partia e tij do të shkojë në opozitë në rast të dështimit të arritjes së marrëveshjes përfundimtare për formimin e koalicionit qeverisës, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje.
Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje Mefail Bajqinovci ka fajësuar LDK-në për mos arritjen e deritanishme të koalicionit qeverisës, për shkak se kjo parti po e kërkon postin e presidentit, i cili nuk ka qenë pjesë e platformës në zgjedhjet e parakohshme.
Ai në një postim në Facebook thotë se nëse nuk formohet qeveria, zgjedhjet janë opsioni i vetëm.
Postimi i plotë:
Ne dëshmuam bashkëpunim. Qytetarët i varën shpresat tek ne, duke na dhënë afër gjysmë milioni vota por duke na përcaktuar ne si fitues. Pra Qeverinë e zgjodhën qytetarët, edhe kryeministrin edhe ministritë edhe programin e bashkërenduar, gjithsesi. Neve nuk po na lejojnë të shkojmë në implementim të këtij vullneti qytetarë të qartë për shkak të një funksioni shtetëror si presidenti, për të cilin as paraqitëm platformë në zgjedhje e natyrisht se as nuk u votuam për të. As ne, as LDK-ja. Ejani të ja nisim punës sepse vendi po e vuan çdo ditë mbi kurriz, mungesën e Qeverisë të votuar nga populli. Çdo ditë po avullohen miliona euro pasuri e popullit tonë nga një qeveri e cila pothuajse e ka falimentuar shtetin, nuk mund të jemi kaq komod e mos të fillojmë me qeverisjen e vendit. Ndryshe, opsioni i vetëm janë zgjedhjet.