Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Dimal Basha ka thënë se në 100 ditët e Qeverisë Kurti është vendosur një standard i ri i mënyrës së qeverisjes.
“Në përgjithësi mendoj se janë bërë shumë puna të mira. Qytetarët e kanë parë që me këtë qeveri është ndërtuar një standard i ri, nuk ka asnjë dyshim se a po vidhet apo po jepen tendera. Është krijuar një standard i ri, edhe pse është punuar me një dorë të lidhur”.
“Kjo qeveri po operon në detyrë për shkak se është shkarkuar nga Kuvendi dhe rrjedhimisht puna është shumë më e vështirë, duke shtuar këtu faktin se kjo qeveri, përpos që është marrë me punë të mira, është marrë edhe me një rast shumë emergjent që bota moderne s’e mban mend – pandemia Covid-19. Ka menaxhuar një krizë që gjithandej botës është lavdëruar për punën e mirë”.
“Mendoj se është penguar një punë edhe më e mirë pikërisht për shkak të shkarkimit të qeverisë. Ne nuk e kemi ndërprerë punën si Lëvizje Vetëvendosje. Në seancën për mocionin e mosbesimit kam thënë se do të ishte korrekte që së paku të pritet që të tejkalohet kjo krizë që ka prekur të gjithë qytetarët”.
“Pse është rrëzuar qeveria mendoj se dihen faktet. Presioni që ka ardhë nga Richard Grenell ka qenë një prej faktorëve kryesor – LDK-ja ka rënë pre e atij presioni dhe ka zgjedhur që ta rrëzojë qeverinë”.
Ai ka thënë se heqjen e taksës nuk e ka bërë vetëm Lëvizja Vetëvendosje, por Lëvizja Vetëvendosje bashkë me LDK-në – ashtu siç janë marrë vesh në marrëveshjen për bashkëqeverisje.
“Në marrëveshjen qeverisëse ku jemi marrë vesh që do ta heqim taksën, por do ta zëvendësojmë me reciprocitetin. Këtë nuk e ka bërë Lëvizja Vetëvendosje, por e ka bërë Lëvizja Vetëvendosje me LDK-në”.
Basha në Info Magazine të Klan Kosovës ka qenë shumë i ashpër me emisarin special të presidentit amerikan për dialogun, ambasadorin Richard Grenell.
Ai ka thënë se ai nuk i përfaqëson vlerat amerikane, derisa e ka quajtur “shërbëtor” të Donald Trumpit.
“[Richard] Grenellit i është dashur një marrëveshje e shpejtë, për shkak se është shërbëtor i [Donald] Trump. Nuk besoj që ai i përfaqëson vlerat e Amerikës, për shkak se Donald Trump flet për reciprocitetin dhe barazinë e qytetarëve”.
“Unë jam shtetas amerikan dhe e di se Amerika të mëson të jesh i barabartë me tjetrin. Ne kemi thënë që bisedojmë me Serbinë, por nëse Serbia ka pengesa ndaj prodhuesve dhe eksportuesve tanë duhet t’i vendosim edhe ne. Para 20 vjetëve na ka masakruar, tash ne mos të guxojmë t’i vendosim masat e njëjta që i ka vendosur ndaj nesh?”.
“Serbia i mban 2000 trupa të vdekur shqiptarë ku nanat nuk e dinë se ku i kanë varret që të shkojnë të qajnë edhe ne me u dorëzua Serbisë, për shkak që [Richard] Grenellit po i duhet një marrëveshje e shpejtë që të mund t’ia dërgoj një trofe [Donald] Trumpit para zgjedhjeve në SHBA. Kjo nuk është vlerë amerikane, është interes i Richard Grenellit për Donald Trumpin”.