Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, në konferencën e përjavshme ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të koordinohet me partnerët ndërkombëtarë pas situatës së krijuar me largimin e serbëve nga institucionet.
Abazi ka folur edhe për strategjinë për energjinë, dhe orientimin kah burimet e ripërtërishme.
“Situata në veri pas urdhrit nga Beogradi ka shkaktuar vakum institucional, targat kanë qenë vetëm një pretekst i Serbisë që të tregojë muskujt e vet, pas procesit të Berlinit. Po i afrohemi 21 nëntorit, të gjithë janë të alarmuar, përfshi edhe partnerët ndërkombëtarë, për ne është e rëndësishme që çdo qytetar të ndihet i sigurt”, tha ai raporton Ekonomia Online.
“Strategjia dalëse nga kjo situatë duhet të na kthejë në tavolinën e bisedimeve dhe koordinimit me shtetet partnere, është e rëndësishme që t’i kthehemi fokusit të përmbylljes së marrëveshjes finale me njohje”.
“Duhet ta bëjmë sa më të lehtë të mundur që teknologjia ë energjisë së rinovueshme të vendoset sa më shpejtë dhe në mënyrë efektive. Është koha e fundit që të shtohet koha për investime në energjinë e rinovueshme, duke përfshirë edhe planin kombëtar për efiçiencë”.