Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, ka thënë se në takimin e 14 shtatorit në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pati anim të ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian ndaj Serbisë.
Sipas tij, ndërmjetësuesit e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi ka kohë që janë të pabalancuar.
“Ne kemi shkuar më 14 shtator duke besuar se do të ecet në vlera evropiane, dhe aty është dalë që ka pasur anim. Nuk është frymë e mirë. Ne jemi për të dialoguar dhe për t’i zgjidhur çështjet me fqinjin tonë verior por nuk mund të shkojmë në një dialog ku ka anim dhe për këtë konferenca e sotme ishte thirrje organeve të BE-së”, u shpreh ai teksa shton se “Bislimi dhe Kurti i kanë informatat dhe janë përballë këtyre situatave, por gjithsesi që nuk e kemi thënë publikisht tash e sa kohë që ndërmjetësuesit nuk janë të balancuar, sidomos pas marrëveshjes së Ohrit”.
Vullneti i Republikës së Kosovës, sipas deputeti të VV-së i ka qenë që takimi të rezultojë me një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse.
“Natyrisht gjatë procesit ka lindur marrëveshja bazike që pastaj është ajo e Ohrit dhe natyrisht kur Serbia ka bërë në vazhdimësi deklarata dhe kemi pas kërcënime me luftë, ndërmjetësuesit kanë heshtur. Kurti është përballur me një situatë ku Lajçak e ka mbajtur tërësisht anën e Serbisë. Ata janë munduar që në takim ta përballin kryeministrin me një propozim “Merre ose lëre”. Është puro kushtëzim. Serbia po kërkon Asociacionin, ti bëje atë pastaj ne shohim a po e zbaton Serbia këtë marrëveshje”, shtoi më tej Batusha në RTV Dukagjini.
Ai potencon se krerët e Qeverisë së Kosovës kanë shkuar në Bruksel që të zbatohet marrëveshja bazike dhe Aneksin e Ohrit dhe të bëhet një plan sekuencimi, dhe aty “është diskutuar për Asociacionin si kusht primar”.
Po ashtu Batusha thotë se nuk ka pasur propozime të tjera në tavolinë, pos ai i kryeministrit Kurti.
“Serbia ka dëshmuar që nuk i zbaton marrëveshjet. Ndërmjetësuesit kanë kërkuar që ne ta zbatojmë Asociacionin qysh të dojë Serbia. Serbia asnjë nga zotimet nuk po e zbaton, ata po e sanksionojnë Vulinin si një individ, kurse marrin masa ndaj Kosovës për shkak gjendjes në veri”.