Deputeti i VV-së pas aksionit të sotëm: Uroj që të arrestohen edhe disa kumarë të tyre në Ferizaj

Prishtinë | 06 Jan 2022 | 15:40 | Nga Ekonomia Online

Një aksion i gjerë policor është realizuar gjatë ditës së sotme në Prishtinë dhe Ferizaj.

Aksioni në fjalë ishte vazhdim i operacionit të zhvilluar më 21 dhjetor në këto dy rajone si dhe në Shtërpcë.

E pas zhvillimeve të sotme ku u arrestuan shtatë persona, pesë qytetarë dhe dy zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka reaguar deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.

Basha tha se uron që prokuroria mos të ndalet dhe të vazhdojë punën edhe me disa “kumarë” të këtij tipi në Komunën e Ferizajt.

“Ky vend po çlirohet për ditë ngapak. Uroj që prokuroria mos t’ndalet edhe ta vazhdon me disa kumarë të këtij tipit në Komunën e Ferizajit, që e kanë degradu këtë shehër duke dhanë leje kundërligjshëm, ku ndërtesat janë në rrugë, me zero hapësira të gjelbëra, e disa janë aq kriminale sa nuk kanë as vend për kontejnera të mbeturinave. Çlirimi i fundit vie me lidhjen e kriminelave!”, shkroi ai.

Ndryshe aksioni i filluar më 21 dhjetor dhe i vazhduar edhe sot ka të bëjë më ndërtimet e shumta të cilat janë kryer në zonën turistike të Brezovicës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme