Deputeti i VV-së sulmon kryeprokurorin e Speciales, pas arrestimit të kryeshefit të KEK-ut

Prishtinë | 19 Pri 2023 | 21:39 | Nga Ekonomia Online

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës sot ka arrestuar, kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqin, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim i ndikimit”.

Ndaj këtij arrestimi ka reaguar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo që është në pushtet e që mund të përbëj ndërhyrje në drejtësi, pasi që pushtetet në Kosovë janë të ndara dhe duhet të veprohet në mënyrë të pavarur.

Nagip Krasniqi që është i përzgjedhuri i Qeverisë Kurti, dyshohet për tri vepra penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.

Krasniqi ishte përzgjedhur kryeshef ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), më 4 tetor të 2021-ës dhe ka qenë drejtues i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje.

Arrestimi i tij nga Policia e Kosovës është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale, që drejtohet nga Blerim Isufaj.

Pas këtij arrestimi ka ardhur reagimi i deputetit të partisë në pushtet, VV-së, Arbër Rexhaj, i cili ka shkruar se Isufaj po dëshiron me çdo kusht që të bëhet Kryeprokuror i Shtetit e që sipas tij krerët e shtetit se duan atë.

“Kush është ky Blerim Isufaj që nuk e duan për kryeprokuror asnjëri nga tre krerët shtetëror (Presidentja, Kryeministri e Kryeparlamentari) e megjithatë don që me çdo kusht e për çfarëdo çmimi të bëhet Kryeprokuror?! Ai ka siklet të madh diku e mbështetje jo të vogël prej ndokujt”, ka shkruar deputeti i VV’së.

Ky reagim i Rexhajt mund të cilësohet si presion dhe apo ndërhyrje të legjislativit në drejtësi, kur për më shumë Rexha vjen nga partia në pushtet, shkruan Metro.

Ndërsa duhet theksuar se Isufaj qe një vit nuk po dekretohet nga presidentja, Vjosa Osmani si kryeprokuror i Shtetit.

Të ngjashme