Deputeti i VV-së thotë se edhe veteranët e dinë që shifrat s’janë reale, kurse Lekaj i AAK-së thotë se nuk guxon të bëhet shaka me ta

Prishtinë | 04 Pri 2022 | 08:29 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar hetim të ri për numrin e veteranëve të luftës, duke insistuar se numri i veteranëve se kalon 20 mijëshen, raporton Ekonomia Online.

E qëndrime të ndryshme ka pasur nga pozita dhe opozita. Deputeti i partisë që e udhëheq Kurti, Enver Dugolli, në një deklaratë për Ekonomia Online ka sqaruar se kryeministri Kurti ka biseduar me shoqatat e dala nga lufta lidhur me fryrjen e numrave të listave.

Tutje, Dugolli tha se nuk e fajësojnë askënd derisa të vërtetohet se sa është numri real, por që thotë se edhe vet veteranët e dinë që shifrat nuk janë reale.

“Kryeministri Kurti ka kontaktuar shoqatat e dala nga lufta dhe është biseduar për këtë çështje. Këtë çështje e kanë ngritur vetë veteranët sepse në mungesë të informacioneve të duhura ata kanë dashur që të shkëmbejnë informata edhe me Qeverinë në lidhje me numrin e veteranëve. Kjo çështje nuk është e tanishme”.

“Këtë fryrje të numrave apo rritje të numrave të veteranëve e kanë ngritur edhe qeveritë e kaluara mirëpo nuk kanë arritur të marrin diçka konkrete në këtë drejtim. Edhe tani nuk ka ndonjë vendim që është marrë që të fillohet me pastrimin e këtyre listave, por vetëm është biseduar. Vetë veteranët e dinë që nuk është numër real. Ne nuk fajësojmë askënd derisa të shihet se kush e meriton e kush jo në ato lista. Vetë veteranët do t’i prijnë kësaj çështje”, tha Dugolli.

Ndërsa, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka komentuar deklaratën e kryetarit të partisë së tij Ramush Haradinaj, duke thënë se duhet të mbrohen vlerat e luftës dhe të mosluhet me veteranët, raporton EO.

“Haradinaj ka pasur të drejtë kur ka thënë që duhet të mbrohen vlerat e luftës dhe duhet të mbrohen ata që kanë luftuar për vendin”.

“Ne sot e gëzojmë lirinë dhe asesi të mos bëhet shaka me ta. Haradinaj iu lut zotit Kurti që të mos luaj më me veteranë me ata të cilët na kanë sjellë lirinë”, tha Lekaj.

Të ngjashme