Deputeti i Partisë Demokratike, Ardian Kastrati, e ka bërë një paraqitje interesante në Kuvendin e Kosovës.
Ai e ka vendosur një pankartë duke shkruar “Vuline pusti vodu,” që e përkthyer vulgarisht “Vulin, lëshoje ujin”.
E gjithë kjo në referencë me deklaratat e ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili mohoi së fundi sërish masakrën e Reçakut.
“Një figurë groteske e dalur nga regjimi i Millosheviçit, ky ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandër Vulin, para dy-tri dite e dha një deklaratë me të cilën tha se Reçaku nuk është i vërtetë. Jo që nuk pritet diçka e tillë nga ai, është e çuditshme se çfarë reagime pati nga Kosova në raport me këtë deklaratë. Reagoj ShBA, reagoj BE dhe nuk pash një reagim të ashpër nga kjo qeveri. Nuk pash reagim të ashpër”.
“Ideja është që ju keni qenë edhe në rrugë për Palestinën, e keni dramatizu Palestinën. Palestina ka thënë se Reçaku është çështje e brendshme e Serbisë. Palestina Millosheviçit i jepte medalje kur ai kishte bërrylat me gjak në Reçak dhe prandaj unë sot qëllimisht jo me ju kritiku ju, por me ja dhënë atij një porosi nga këtu në gjuhën e tij sepse kështu më së miri ai e kupton, se është kogja e turpshme që ne të dalim me një reagim kaq të dobët, s’po flas vetëm si qeveri por edhe si shoqëri dhe Kosovë”.
“Ishte dashtë që ditën kur ai ka dal, ministrja e Kurtit, Gërvalla që bën taka taka taka, menxi s’pret me jep dëshmi për Kadrinë dhe Hashimin atje, me dal dhe me reagu për këtë çështje dhe nuk u pa. Edhe kryeministri dhe qeveria së bashku”.
Pas kësaj, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca u shpreh se shteti reagonte përmes proceseve gjyqësore për ngjarjen.