Deputeti i PD-së: Mungesa e Gjykatës Kushtetuese, skemë e qartë mafioze

Prishtinë | 09 Kor 2018 | 13:59 | Nga

Deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Enkelejd Alibeaj u shpreh në një deklaratë për mediat se mungesa e Gjykatës Kushtetuese në vend është një tregues i qartë se ligji për shembjen e teatrit është një ligj mafioz.

 Ai u shpreh se Gjykata Kushtetuese është nxjerrë jashtë funksionit sipas një skeme të qartë mafioze.

“Nëse ka një tregues që provon sesa mafioz është ligji për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin atje të 6 kullave nga Edi Rama, ky tregues është mungesa e Gjykatës Kushtetuese! Shqipëria, vend anëtar i NATO-s dhe që pretendon nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, është një vend ku Gjykata Kushtetuese është nxjerrë jashtë funksionit sipas një skeme të qartë mafioze, të drejtuar nga kryeministri i vendit”, tha Alibeaj, raporton Tch, transmeton Klan Kosova.

Më tej, deputeti i PD thekson se mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese ka synim pastrimin e parave të pista.

“Skema mafioze, nëpërmjet të cilës Edi Rama asgjësoi Gjykatën Kushtetuese dhe, më pas, miratoi me urgjencë ligjin antikushtetues të Teatrit ka vetëm një qëllim: pastrimin e parave të pista të drogës dhe korrupsionit të Edi Ramës nëpërmjet: Shembjes së Teatrit Kombëtar; Grabitjes së rreth 8500 metra katrorë pronë publike dhe Kërcënimit të pronarëve privatë për ta shitur tokën me çmimin qesharak të përcaktuar, sërish në mënyrë antikushtetuese, nga kryemafiozi i qeverisë”, tha Alibeaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme