Deputeti i LDK-së, Anton Quni ka hedhur akuza të rënda në drejtim të Kadri Veselit, Hashim Thaçit dhe në përgjithësi ndaj PDK-së.
Quni madje Thaçin e Veselin i ka quajtur kriminelë, të cilët duhet të qëndrojnë prapa grilave.
Ai duke iu drejtuar Thaçit e Veselit ka thënë se ata përbëjnë një formacion të dyshimtë, i cili dikur do të dalë në shesh.
Quni duke iu drejtuar atyre, u ka thënë se “metodat” që i kanë përdorur gjatë luftës dhe pas luftës, nuk do të mund t`i ushtrojnë në Parlamentin e Kosovës.
“Ju vini nga një formacion shumë i dyshimtë, i cili duhet të japë përgjegjësi përballë qytetarëve të Kosovës. Me ato metoda që i keni përdorë gjatë luftës dhe pas luftës, ju mendoni se mundeni me udhëheq edhe Parlamentin e Kosovës me të njëjtat metoda, por e keni gabim. Në finale keni me u demasku, por qytetarët do të kuptojnë se ju nuk jeni për rendin kushtetues, nuk jeni për stabilitet politik, për integrimin e Kosovës në familjen e madhe evropiane, sepse keni frikë se keni përgjegjësi të mëdha para qytetarëve, keni frikë se duhet të jepni llogari se pse nuk ushtrojmë kontroll në Veri, pse u zhvilluan celulat e terrorizmit”, ka thënë ai.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është garanca më e fuqishme si shtylla më e fortë e shtetit të Kosovës, ne do të jemi këtu për zgjedhjet e ardhshme. Në finale do të jeni humbës”, ka thënë tutje ai.
Ai e ka përshëndetur kryeministrin Isa Mustafa, duke i thënë se anipse nuk ishte pajtuar që ai të jetë në krye të LDK-së, sot e përkrah paraqitjen e tij.
Gjithashtu, ia ka kujtuar Mustafës se para se të hynte në koalicion me PDK-në, të mendonte mirë se me kë do të kishte të bënte.
Quni është shprehur se e ka menduar tërheqjen nga politika, por që Thaçi e Veseli e shtyjnë atë të mos e bëj një hap të tillë.