Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë për Ekonomia Online se kryeministri Albin Kurti, i cili ngriti dilema nëse opozita vërtetë dëshiron shkuarjen në zgjedhje.
Me këtë, Bunjaku-Rexhepi thekson se Kurti nuk i dëshiron zgjedhjet për shkak të favoreve që i ofron posti i Kryeministrit.
“Kryeministri ka dashtë më dhënë mesazhin që zgjedhjet do të shkohet deri në fund të mandatit sepse jashtëzakonisht shumë po i pëlqen karriga e Kryeministrit, po i pëlqejnë truprojat e xhipat e zi, po i pëlqen dramat, po i pëlqen thjeshtë demagogjitë popullizmi i tij dhe fortë mirë dhe komod është ka ndihet në karrigen e Kryeministrit”.
Sipas saj, kjo qeverisje e ka kthyer Kosovën 10 vjet mbrapa.
“Kryeministri saktësisht e di që opozita nuk i ka numrat e mjaftueshme për me votu mocionin për rrëzimin e Qeverisë”, tha Bunjaku.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi dje se është i gatshëm për zgjedhje, kurdo që opozita të jetë e gatshme.
Në një intervistë për REL, Kurti ka thënë se prej javës së dytë që është kryeministër, është folur për zgjedhje të parakohshme.
“Unë këtë javë i bëj tre vjet që jam në detyrë. Ndoshta do të ketë zgjedhje të parakohshme, unë nuk e di, por… Për ne është krejt njësoj. Por, unë nuk mund të kem zgjedhje të parakohshme në Kosovë pa opozitën. Nëse opozita do zgjedhje të parakohshme, duhet të shpërbëhet Kuvendi. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2020 nuk ka lënë mundësi të tjera. Pra, ne, për të pasur zgjedhje të parakohshme, duhet ta shpërndajmë Kuvendin… dhe le të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme për ata që e kanë mendjen aty”, ka thënë ai.