Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka thënë se Qeveria e Kosovës i ka braktisur komunat e prekura nga vërshimet, e sidomos Komunën e Skenderajt, raporton Ekonomia Online.
Sipas saj, gjendja në ato zona është e rëndë, dhe ka rrezik për shpërthim të ndonjë epidemie.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Musliu ka thënë se ka fshatra që janë tërësisht të shkatërruara.
“Unë fillimisht dua që t’i falënderoj ekipet vullnetare që i kanë dalë në ndihmë qytetit të Skenderajt dhe fshatrave, po edhe të Mitrovicës dhe zonave të prekura nga reshjet e shiut dhe dua t’i përgëzoj udhëheqjet komunale për punën angazhimin dhe aktivizimin që e kanë bërë gjatë këtyre ditëve të vërshimeve. Ndërsa fatkeqësisht institucionet shtetërore i kanë braktisur komunat e vërshuara, komunat të cilat kanë dëme milionëshe. Faleminderit Zotit që nuk kemi dëme në njerëz, përndryshe dëmet materiale janë jashtëzakonisht të mëdha. Në Skenderaj nuk mbahet mend shkatërrim më i madh që nga lufta e fundit në Kosovë. Atje aktualisht gjithçka është jashtë normales, kemi fshatra të tëra të shkatërruara dhe neve na duhet ndihmë e përkrahje”, tha ajo.
Teksa ka folur për vërshimet që ndodhën javën e kaluar, deputetja e PDK-së, thotë se niveli qendror s’ka ndërmarrë asgjë për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.
Madje, thotë se ka rrezik për shpërthim të epidemisë.
“Jam tmerrësisht e indinjuar me neglizhencën që i kanë bërë niveli qendror këtyre krizave, me thekës të veçantë Skenderajt si komunë. Është e dhimbshme kur kam shkuar në ditën e dytë pasi pushuan reshjet kur fshatra të tërë ishin mbuluar nga balta dhe unë nuk kam parë as një ekip as të FSK-së, as të Kryqit të Kuq, as të ndonjë shtabi emergjent të nivelit qendror dhe jam brengos jashtëzakonisht shumë sepse aty në çdo moment mund të ndizet ndonjë epidemi e cila do të jetë shumë e dëmshme për ata qytetarë”, thotë ajo për EO.