Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirlinda Sadiku-Tishukaj në një prononcim për Ekonomia Online ka bërë të ditur se kryeministri Albin Kurti ditët në vazhdim do ta bëjë emërimin e ministrit të ri të Shëndetësisë.
Madje, ajo tha se shëndetësia ka nevojë për një menaxher të mirë, ndonëse sipas saj, ish-ministri Rifat Latifi ka qenë i përgatitur, por përvoja në Amerikë ndryshon nga ajo në Kosovë.
“Emërimet bëhen nga ekzekutivi besoj që shumë shpejt edhe kryeministri do të dalë me një propozim konkret sepse shëndetësia ka nevojë për një menaxher të mirë”.
“Nuk është që nuk ka punuar edhe zotëri Latifi, por si duket përvoja e tij në shtetin e Amerikës nuk ka mundur të imagjinojë që sot në sistemin tonë shëndetësor nuk ki sigurime. Besoj që në ditët në vazhdim do ta bëjë një emërim në Shëndetësi”.
Sipas saj, ndryshime të mëdha ka pasur në ShSKUK ngase siç thotë ajo ky institucion nuk vuan më nga mungesa barnave nga lista esenciale.
Deputetja Sadiku-Tishukaj tha se kryeministri Kurti me marrjen e drejtimit të Komitetit Ekzekutiv do ta ketë fokus kryesor shëndetësinë.
“Nuk është që nuk ka pasur ndryshime në shëndetësi. Në raportin e ish drejtorit të ShSKUK është cekur që për herë të parë SHSKUK nuk vuan më për listën esenciale. Mirëpo aty janë ndarë 12 milionë euro nga qeveria Kurti për të mos pasur mungesë të listës esenciale”.
“Kryeministri Kurti e ka marrë përgjegjësinë dhe është tek komiteti ekzekutiv për shëndetësi besoj që do ta ketë fokusin e Qeverisë Kurti sepse jemi vonuar shumë në këtë aspekt në lidhje me sigurimet shëndetësore që janë të aprovuara në parlament që nga 2011 është diçka që duhet të punohet në të”, tha Sadiku-Tishukaj.