Në kohën kur kancelari gjerman, Olaf Scholz përgatitet të nisë një vizitë dyditore në Ballkanin Perëndimor, kryetarja e komisionit të të drejtave të njeriut në Bundestagun gjerman, Renata Alt, kërkon të shtohet presioni mbi Serbinë për çështjen e Kosovës.
“Do të ishte e rëndësishme që kancelari Scholz, gjatë vizitës së tij në Serbi, të ushtrojë presion ndaj Aleksandar Vuçiçit dhe qeverisë së ardhshme serbe dhe t’u bëjë të qartë se Serbia duhet të përkrahë sanksionet e Bashkimit Europian kundër Rusisë e të dënojë qartazi krimet e luftës të kryera nga Rusia në Ukrainë. Serbia duhet t’i japë fund politikës së luhatjes dhe të vendosë: a dëshiron të shkojë në kahun e Rusisë apo është vërtet e interesuar të anëtarësohet në BE?”, tha Renata Alt për DW.
Sipas Alt, është e rëndësishme që të intensifikohet dialogu. Prandaj dhe unë e përshëndes vizitën e kancelarit në rajon, edhe pse momenti më duket i çuditshëm, menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes me Rusinë, tha ajo.
“Shqetësuese ishin edhe fjalët e presidentit Vuçiç, kur ai u betua pas zgjedhjeve, se ai kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Prandaj është e rëndësishme që kancelari Scholz ta bëjë të qartë se Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës në mënyrë që të vazhdojë të konsiderohet një kandidate serioze dhe e besueshme për anëtarësim në BE. Mendoj se si mjet presioni mund të përdoren burimet financiare. Nëse Serbia vazhdon politikën e saj luhatëse e largohet gjithnjë e më shumë nga demokracia, unë sugjeroj ngrirjen e fondeve dhe marrjen në konsideratë të pezullimit të negociatave të pranimit në BE”, tha Alt.
Sigurisht shtoi Alt, edhe Kosova duhet të afrohet me Serbinë, për shembull, nuk është shumë e mençur që të pengohet mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Pra, të dyja palët duhet të lëvizin drejt njëra-tjetrës. Megjithatë, është e rëndësishme që të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u jepet një perspektivë e qartë europiane, ishte mesazhi i saj./tch/