Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që të ndajë një pako financiare për mediat, për t’i përkrahur ato gjatë pandemisë Covid-19.
Ajo ka thënë se edhe mediat janë në vijën e parë të frontit, sikur punëtorët shëndetësor, andaj edhe duhet të mbështeten.
“Është e nevojshme që Qeveria të ndajë një pako përkrahëse edhe për ata që bashkë me mjekët profesorët, e policinë, qëndrojnë në vijë të parë, e ata janë gazetarët. Ata asnjëherë nuk kanë pasur përkrahje institucionale. Ata vazhdimisht janë rrezikuar nga Covid-i. Nëse e shihni edhe në publikimet e tyre, shumë prej tyre edhe janë sëmurë, mirëpo asnjëherë nuk kanë pasur përkrahje”, ka thënë ajo.
Kadaj-Bujupi, ka thënë tutje se Qeveria duhet të punojë që të menaxhohet situata me pandeminë.
“E thërras Qeverinë që të vijë në Kuvend, që të mos braktisin ministrin e Shëndetësisë, Zemaj, sepse ai nuk mund të ketë i vetëm rezultate. Ka nevojë për komunikim, për bashkëveprim të aktiviteteve në mënyrë që të dalim nga kjo situatë”, ka shtuar ajo.