Objekti i Qeverisë së Kosovës të martën është ndriçuar me flamurin e Ukrainës në shenjë solidariteti me popullin e këtij shteti, pasi një pjesë e territorit të saj është pushtuar pjesërisht nga Rusia.
Deputetja dhe politikania ukrainase, Iryna Friz ka falënderuar Kosovën për mbështetjen e dhënë për Ukrainën.
“Faleminderit, Prishtina!”, ka shkruar ajo në faqen e saj në Facebook.
Ukraina është njëri nga vendet që nuk e kanë njohur ende Kosovën shtet.
Ndryshe, agresionin e Rusisë ndaj dy krahinave në lindje të Ukrainës e kanë dënuar krerët e institucioneve të Kosovës.
Ndërsa, SHBA, BE dhe vende të tjera kanë paralajmëruar sanksione të ashpra ndaj Rusisë.