Me Prishtinën të shkëputur ndjeshëm, gara kryesore në Superligën e Kosovës në basketboll ka mbetur ajo për pozitën e dytë, që njëjtë si pozita e parë siguron kalimin direkt në gjysmëfinale të plejofit.
Një ndeshje me peshë në garën për vend të dytë do të zhvillohet të dielën në Suharekë. Në derbin e xhiros së 17-të, nga ora 17:00 takohen Golden Eagle Ylli dhe Rahoveci. Aktualisht Ylli është i dyti në tabelë me 27 pikë, ndërsa Rahoveci i treti me 26 pikë. Më prapa kanë mbetur Bashkimi me 24 pikë e Ponte Prizreni e Trepça me nga 23 pikë. Z Mobile Prishtina i ka fituar të gjitha 16 ndeshjet dhe prin me 32 pikë.
Të gjitha këto gjashtë skuadra tashmë janë thuajse në plejof, që nis me përballjet e skuadrës së vendit të tretë me të gjashtin dhe të katërtit me të pestin. Më pas fituesit luajnë në gjysmëfinale me të parin e të dytin. Në Superligë janë edhe Lipjani e Borea që i kanë nga 18 pikë dhe pritet të luftojnë për të shmangur rënien nga elita.
Ylli po kalon periudhë të mirë pasi fitoi dy ndeshjet e para të stinorit pranveror, në udhëtim ndaj Bashkimit dhe Trepçës. Ndërkohë Rahoveci fitoi ndaj Boreas, por më pas pësoi nga Bashkimi.