Deri në fund të vitit do të përkrahen 192 familje të cenueshme për rinovimin e shtëpive

Prishtinë | 08 Sht 2026 | 11:18 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar njërën nga familjet përfituese të projektit “E ardhmja e Energjisë së Gjelbër”, të mundësuar përmes Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe UNDP-së, me financim të Qeverisë së Danimarkës, raporton Ekonomia Online.

Kurti ka bërë të ditur se deri në fund të këtij viti do të përkrahen 192 familje të cenueshme përmes rinovimit të shtëpive, ndërsa deri në vitin 2028 numri i familjeve përfituese pritet të arrijë në 280 në tërë Kosovën.

Ai tha se investimet në efiçiencën e energjisë do të ndikojnë në uljen e ndjeshme të konsumit dhe faturave të energjisë.

“Kjo është ndër 51 shtëpitë e familjeve të cenueshme të cilat tashmë i kemi rinovuar dhe, siç e tha ministrja Rizvanolli, deri në fund të vitit do t’i përkrahim 192 familje duke ua rinovuar shtëpitë, e në vitin 2028 ky numër do të shkojë në 280 familje në tërë Kosovën. Tash 5 anëtarët e familjes Dragidella do të kenë kushte më të dinjitetshme për jetë pas investimeve që janë bërë në termoizolimin e fasadës edhe të çatisë”, tha ai.

Kurti tha se familja Dragidella, e cila më herët konsumonte mbi 85 megavat-orë energji në vit, pas investimeve pritet ta ulë konsumin për rreth 74 për qind.

“Kjo familje ka konsumuar gjatë vitit mbi 85 megavat-orë në vit dhe tash do të ketë një rënie të konsumit, plus kushte më të mira brenda, që do të thotë e ngrohtë gjatë dimrit dhe e freskët gjatë verës, me një zbritje të shpenzimit të energjisë prej rreth 74%, apo e thënë ndryshe, prej atyre mbi 85 megavat-orë energji që i kanë konsumuar në vit, tash ta konsumojnë përafërsisht çerekun e tyre. Diku afër 22 megavat-orë në vit. Kjo i bie që edhe fatura do të jetë shumë më e lirë, por edhe ndërtesa do të jetë shumë më e ngrohtë”, tha Kurti.

Ndërsa, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se investimet në efiçiencën e energjisë ndikojnë jo vetëm në uljen e konsumit dhe ndotjes së ambientit, por edhe në krijimin e kushteve më të mira të jetesës për familjet.

“Përgjatë 5 viteve të fundit, më keni dëgjuar shpesh duke folur për efiçiencë të energjisë ose prodhim të energjisë, kursim, tranzicion energjetik. Koncepte që duken ndoshta abstrakte, mirëpo në fakt ato janë shumë të prekshme dhe ato fillojnë që nga shtëpitë tona. Që nga ajo se sa i kemi shtëpitë të izoluara mirë, sa konsumojmë energji ose sa mund të kursejmë energji, gjë që do të thotë jo vetëm konsum më i ulët i energjisë e ulje e emetimeve e ndotjes së ambientit, por mbi të gjitha ka të bëjë me kushtet e dinjitetshme për çdo familje të Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Rizvanolli tha se në të kaluarën janë përkrahur mbi 3 mijë e 500 familje për izolimin e shtëpive të tyre, ndërsa në këtë program fokusi është vendosur te familjet më të cenueshme që janë pjesë e skemës së asistencës sociale.

“Ju e dini që në të kaluarën kemi përkrahur mbi 3500 familje për të izoluar shtëpitë e tyre, mirëpo këtë radhë jemi fokusuar tek familjet më të cënueshme. Të gjitha familjet përfituese, që do të jenë deri në 280 deri në fund të programit, janë familje që janë në skemën e asistencës sociale dhe aty brenda tyre janë përzgjedhur familjet që kanë më së shumti nevojë duke parë për bazë, në mënyrë primare dy kritere: që familja është familje që i përket një nëne vetushqyese ose dhe familje që ka brenda vetes persona me nevoja të veçanta”, tha ajo.

Të ngjashme