Derisa Toma e dëshiron Zvicrën, Rrahmani ndihet krenar që e përfaqëson Kosovën

Prishtinë | 06 Sht 2021 | 15:52 | Nga Ekonomia Online

Amir Rrahmani është shprehur krenar që e përfaqëson atdheun e vet Kosovën në arenën ndërkombëtare, në një ditë kur një tjetër futbollist me rrënjë shqiptare dëshiron ta zgjedhë një vend tjetër para atdheut të vet.

Në një shkrim në llogarinë e vet personale në rrjetin social Facebook, Rrahmani shfaqi krenari që luan për ekipin kombëtar dardan, në një kohë kur Bastien Toma tha se dëshiron ta përfaqësojë Zvicrën para Kosovës.

“Krenar që e përfaqësojë vendin tim”, shkroi Rrahmani në mbishkrimin e disa fotografive nga barazimi i djeshëm i Kosovës 1:1 me Greqinë në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës.

Rrahmani, i lindur dhe rritur në Prishtinë, është njëri prej futbollistëve me më së shumti paraqitje në fanellën e Kosovës.

Mbrojtësi i Napolit i ka bërë 35 paraqitje për Kosovën dhe ka kontribuuar me 5 gola. Ai e përfaqësoi Shqipërinë para se ndërronte aleancë pas pranimit të Kosovës në FIFA dhe UEFA.

27-vjeçari luajti titullar në fitoren historike të Kosovës kundër Gjeorgjisë 1:0 të enjten, e para në një ndeshje kualifikuese për Botëror, dhe në barazimin zhgënjyes pa gola me Greqinë të dielën.

Ai pritet ta udhëheqë kombëtaren verdhekaltër edhe kundër Spanjës të mërkurën në Prishtinë.

Dardanët janë pothuajse pa shpresa për ta siguruar pjesëmarrjen në një Kupë Bote për herë të parë në historinë e Kombëtares, pasi renditen në vendin e tretë me vetëm katër pikë.

Kundërshtarja e ardhshme e Kosovës, Spanja është lidere e Grupit B me 10 pikë, e ndjekur nga Suedia me 9.

Fituesi i grupit shkon direkt në Botërorin e vitit të ardhshëm në Katar, ndërsa vendi i dytë luan një ndeshje play-off’i.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme