Amir Rrahmani fitues i çmimit “Fadil Vokrri”: Ky çmim më jep shtysë për suksese të reja

Prishtinë | 24 Dhj 2023 | 20:33 | Nga Ekonomia Online

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës dhe anëtari i klubit Italian Napoli, Amir Rrahmani është vlerësuar me çmimin “Fadil Vokrri” për herë të dytë nga Federata e Futbollit e Kosovës. 29-vjeçari po e përmbyll një vit fantastik në aspektin personal por edhe në sukseset e me klubin e tij. Rrahmani ishte ndër më të dalluarit dhe më meritorët që Napoli fitoi për herë të tretë në histori të klubit titullin e Kampionit të Italisë. Me klubin kampion të Italisë, Rrahmani ka zhvilluar më shumë 40 ndeshje këtë vit, duke bartë barrë të rëndësishme në prezantimin personal por edhe të shtetit të Kosovës, jo vetëm në ligën e Italisë, por edhe në arenën më të çmueshme të futbollit evropian, Ligën e Kampionëve. Përtejë paraqitjeve me Napolin, Rrahmani po ashtu ishte ndër futbollistët më të rëndësishëm të ekipit kombëtar, përkundër faktit se për Kosovën nuk ishte një prej viteve më të mira. Përveç cilësive teknike si futbollist, karizma, pasioni, vendosmëria dhe karakteri, e bëjnë Amir Rrahmanin një lider e një kapiten të vërtetë të ekipit Kombëtar.

E në pamundësi për të qenë i pranishëm në manifestimin “Laureatët 2023”, Amir Rrahmani përmes një video-mesazhi ka përshëndetur të pranishmit dhe opinionin në Kosovë, duke i falënderuar për vlerësimin me këtë çmim të rëndësishëm.

“Për shkak të pamundësisë për të qenë aty me ju, po e bëj këtë video në shenjë falënderimi për çmimin. Ky çmim është shumë i veçantë që më jep shtysë dhe vetëbesim për vitet e ardhshme. Viti që po e lëmë pas ka qenë shumë i rëndësishëm dhe i suksesshëm, sidomos me klubin tim ku u shpallëm kampion pas 33 vjetësh, që është një kohë shumë e gjatë për një ekip që të rishpallet kampion. Ka qenë një sukses i rrallë dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij suksesi. Me Kombëtaren e Kosovës kemi pasur shumë ndeshje të rëndësishme, kemi bërë shumë ndeshje të bukura. Jo gjithmonë rezultati ka qenë ashtu siç kemi dashur, por jemi duke u përmirësuar dhe duke besuar deri në fund se diçka të madhe mund ta bëjmë së bashku. Edhe një herë ju falënderoj shumë dhe shpresoj që t’u jap ende edhe më shumë ndeshje të mira dhe suksese të tjera”, ka theksuar Rrahmani në video-mesazhin e tij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme