Kryeministri Rama, merr pjesë sot në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, që zhvillohet në Bruksel, nën drejtimin e Presidentit të Këshillit Europian, António Costa.
Samiti bën bashkë liderët e Bashkimit Europian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim forcimin e partneritetit strategjik dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të rajonit.
Ky takim i nivelit të lartë shërben si një mundësi për të riafirmuar angazhimin e Bashkimit Europian ndaj perspektivës së anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, progresit të reformave kyçe dhe përmbushjes së angazhimeve në kuadër të procesit të integrimit.
Liderët do të vlerësojnë ecurinë e integrimit gradual të rajonit në Bashkimin Evropian, veçanërisht përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si dhe do të diskutojnë hapat e mëtejshëm për zbatimin e tij. Në fokus të diskutimeve do të jenë edhe sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për të forcuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë, në një mjedis gjithnjë e më kompleks gjeopolitik.
Për të dytën herë, Serbia nuk do të marrë pjesë në samit. Presidenti në detyrë dhe kryetari i Kuvendit, Aleksandar Çupiç nuk do të jetë i pranishëm për shkak të periudhës tranzitore në Beograd pas zgjedhjeve të përgjitshme, situatë kjo e mirëkuptuar nga zyrtarët e Evropës.
Dhjetorin e kaluar, ish-presidenti Aleksandër Vuçiç, bojkotoi samitin si reagim ndaj moshapjes së grupkapitullit të tretë në negociatat e anëtarësimit në BE.
Samiti i radhës BE–Ballkani Perëndimor mund të jetë i fundit ku Mali i Zi merr pjesë me statusin e vendit kandidat, pasi Podgorica është pranë përfundimit të procesit të negociatave për anëtarësim. Mali i Zi synon të mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave deri në fund të këtij viti, ndërsa nënshkrimi i Traktatit të Anëtarësimit pritet të realizohet jo më herët se qershori i vitit të ardhshëm. Pas këtij hapi, vendi do të kalojë në statusin e vendit aderues në Bashkimin Evropian./tvklan.al