Dëshmitarët e mbrojtur s’ka kush t’i mbrojë

Prishtinë | 20 Sht 2019 | 16:00 | Nga Ekonomia Online

Që nga viti 2012, Kosova ka në fuqi Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve, por ky ligj nuk e ka penguar zbulimin e identitetit të disa dëshmitarëve të mbrojtur.

Pavarësisht se përmes këtij ligji, të gjithë personave që mund të jenë kyç në procese gjyqësore iu ofrohet fshehje e identitet, ndërrim i vendbanimit si dhe forma të tjera të mbështetjes fizike e financiare, nuk i ka bindur shumë dëshmitarë se mund të jenë të sigurt në rast se japin dëshmitë e tyre.

Sipas organizatave të shoqërisë civile që monitorojnë sistemin e drejtësisë, problemet që paraqiten në mbrojtjen e dëshmitarëve, janë të trashëguara nga misionet ndërkombëtare.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se rrjedhja e informatave dhe zbulimi i identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur, kanë zbehur besimin e qytetarëve për të qenë dëshmitar të mbrojtur.

“Fatkeqësisht praktikat e UNMIK-ut, prokurorëve dhe gjyqtarëve të UNMIK-ut, praktikat e prokurorëve dhe gjyqtarëve të EULEX-it, në njëfarë mënyrë e kanë zbehur edhe interesin e dëshmitarëve potencialë të mbrojtur, për të qenë në njëfarë mënyre në program të mbrojtur, pasi kemi pasur disa raste kur dëshmitarët kanë kryer vetëvrasje apo janë shtyrë për të bërë vetëvrasje. Në njëfarë mënyrë, kanë rrjedhur informata për identitetin e dëshmitarëve, andaj praktikat e mira që do të duhej të ishin ndërtuar nga prokurorët dhe gjyqtarët e UNMIK-ut dhe EULEX-it, në të vërtetë kanë pasur kundërefekt”, tha Miftari./rel

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme