Dëshmitari i trembëdhjetë i mbrojtjes, Muhamet Ajeti ka thënë se në prill të vitit 1999 nuk e ka parë Salih Mustafën në Zllash.
Ai të premten ka filluar dëshminë e tij në gjykimin për krime lufte ndaj Mustafës në Hagë.
Dëshmitari Muhamet Ajeti ka deklaruar se i kujtohet se në vitin 1999 forcat e NATO-s kanë filluar bombardimin në Kosovë dhe se kjo ka ndodhur me 24 mars.
“Në momentin kur ka bombardu NATO u kon ni ndryshim, u kon mas pari gëzim. Atë natë nuk ka pas naj ndryshim të madh përveç që u shfaq një gëzim në familjen time, që u vërejt aj sen. Të nesërmen kanë fillu ndryshimet tjera. Ndryshimi qaj ndryshim u vërejt se filluan forcat serbe të lëvizin më shumë, popullata tani të shqetësohet, fillimisht ishte gëzim, tani filloi idhnim se ja nisën forcat serbe me lëviz, ja nisin popullata mi lëshu shpiat kapak, ato ditë e para”, tha ai.
Tutje, Ajeti bëri të ditur se ditët e para nuk ka mundur të vërej shumë që janë larguar, por veçse kishin filluar, ndërkaq, sipas tij, më vonë ka filluar dëbimi i dhunshëm ka shtëpitë.
Pasi dëboheshin, dëshmitari tha se qytetarët e Prishtinës, kryesisht kanë shkuar në drejtim të Gollakut. E arsye e shkuarjes në Gollak, ai tha se ishte frika pasi forcat serbe filluan t’i dëbonin, t’i rrihnin.
Sipas tij, ka qenë e pamundur të shkonin në zona të tjera dhe Prishtina lidhet me Gollakun e ka qenë më afër e më lehtë, pasi nuk kanë mundur të shkojnë në Drenicë apo diku tjetër.
Ky dëshmitar bëri të ditur se edhe ai është larguar nga Prishtina dhe se ditën kur ka lëshuar kryeqytetin ka shkuar në fshatin Zllash.
Ai konfirmoi se ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ku ishte kyçur në fund të qershorit apo fillim korrikut të vitit 1998 në Shalë të Bajgorës, në zonën operative të Llapit.
“Kur kam shku në Shalë të Bajgorës, kam shku me një shkollë, ku ishte zona operative e Llapit, kur kam shku herën e parë më kanë kthy, se është numri i mbushur, je i ri, pastaj të nesërmen kam shku prapë dhe kam insistu dhe më kanë pru”, tha Ajeti, duke shtuar se atë kohë ishte 17 vjeçar.
Në Zllash, pas bombardimeve të NATO-s, tha se kishte shkuar nëse nuk gabon me 30 apo 31 mars. Ndërkaq, tha se rrugën e kishin bërë në këmbë e që u kishte marrë diku 4 apo 5 orë, ndoshta edhe 6 orë.
Kurse, tha se Zllashi ishte pjesë e zonës operative të Llapit, ku tha se kanë shkuar me disa ushtarë të tjerë, në një numër prej 10 apo 15 personash.
“Në fshatin Zllash, janë do shpija aty të Zllashit”, tha kur u pyet ku kanë shkuar në Zllash, e më pas bëri të ditur se aty kanë shkuar pasi ka qenë edhe më herët në dhjetor 1998 dhe shumica e ushtarëve e dinin ku do të shkojnë, në shtëpi ku njihte disa ushtarë.
Sipas tij, vendi ku kanë shkuar është diku mbi shkollë të Zllashit.
“Ditën kena shku në mëngjes diku para se mu zdrit, kam qëndru 4-5 orë kam flejt pak dhe të nesërmen kur jam cu kam shku e kam kërku familjen që ishte vendos në fshatin Këqekoll te dajët e babës tem,, i kam taku aty dhe kam qëndru 2 apo 3 ditë në Këqekollë, te dajtë e babës”, tha Ajeti.
Ai ka thënë një pjesë të ushtarëve, me të cilët ka shkuar në Zllash, i ka takuar prapë.
Ky dëshmitar ka deklaruar se kur kanë arritur në Zllash, në atë shtëpi, i kujtohet se ka qenë oborri plot njerëz që merreshin me popullatën, vendosjen e tyre dhe ka qenë “hallakam, katrahurë”.
Sipas tij, ndoshta kanë qenë 50-60 njerëz, gra, fëmijë, ushtarë.
“Në atë shtëpi u kon oborri plot njerëz, tu i vendos nëpër dhoma, që kishin mbërri para neve”, tha Ajeti, duke shtuar se këta njerëz kanë fjetur aty në atë vend.
Ai tha se në vendin ku ka shkuar, kanë qenë dy shtëpi të vjetra, njëra me tjetrën përballë, brenda një oborri.
“U kon shpija, ka qenë plot me njerëz, diçka tjetër s’po di kështu, veç konkretisht nëse pyet diçka”, tha Ajeti, duke shtuar se sa e di ai, kanë qenë dy shtëpi të banueshme, ku kanë mundur të flenë njerëz.
Ai tha se pas Këqekollës është kthyer në Zllash dhe derisa ka filluar ofensiva në fshatin Viti, ka qëndruar herë pas herë, ka ndenjur ditën në Zllash e ka shkuar sërish për të fjetur te dajtë pasi ishte shtëpia e mbingarkuar me popullatë, ku ditën qëndronte në Zllash e më shumë flinte në Këqekollë natën.
Ndërkaq, tha se kur shkonin në Zllash nuk ka pasur nevojë të identifikoheshin. Nga njerëzit e tjerë që ishin prezent aty, sipas tij, shumë prej tyre ishin civil.
Kurse, për ushtarët që ishin prezent, tha se shumica kanë qenë nga komuna e Prishtinës, kryesisht të Zllashit, e më vonë tha se ndoshta kanë kaluar në brigada të tjera, por se ka pasur edhe brigada të tjera.
“Një pjesë e tyre kanë qenë të brigadës, por tjerët nuk i mbaj mend. Ka mujt me kon naj ushtar i brigadës 153 në atë shtëpi. Ushtarë ka pas të guerrilës të Prishtinës dhe të brigadës 153”, tha Ajeti.
Dëshmitari tha se nuk ka parë që ka pasur gardh rrethues për vendin që po diskutohet.
“Shumica u kon këtu e hapur, ka ke dasht ke mujt me hi. U kon nashta muj me thon që u kon pa gardh, ke mujt me hi ka dush, në dy tre pjesë ke mujt me hi në këtë shpi”, ka deklaruar Ajeti.
Sipas avokatit Julius von Bone, kur Ajeti i kishte dhënë deklaratë mbrojtjes, kishte thënë “çfarë të them ishte më i hapur se i mbyllur, njerëzit mund të vinin dhe shkonin dhe kishte copëza të mbetura të një rrethoje, por nuk ka qenë zonë e mbyllur, mund të hyje me makinë e të shkoje deri në majë e të dilje”.
Kurse, Ajeti e konfirmoi se ka dhënë këtë deklaratë dhe se e njëjta është e saktë e po ashtu shtoi se sa i kujtohet në atë vend nuk kishte pasur portë.
Lidhur me një fotografi që iu tregua, tha se i kujtohen ndërtesat në të dhe tha se ajo B dhe C në prill janë përdor për të fjetur ushtarët derisa kanë ardhur të plagosurit.
“Sigurisht kanë fjet ushtarë edhe popullatë para ofensivës, po në dhjetor këto kanë qenë të pabanueshme pa gëlqere, kur jam ardh e kam pa që janë gëlqeros. Kjo më kujtohet që u kan që u shndërru në spital, të plagosurit të gjithë janë ardh këtu”, tha tutje ai.
Ndërsa, tha se nuk e di kur është shndërruar si në spital, por e di se me 20 prill kanë shkuar aty, ku ka qenë edhe drejtoreshë Teuta e tjerë.
“Janë operu këtu njerëz, i kanë ndihmu aq sa kanë mundur”, tha ai, ndërsa tha se edhe atij i është bërë një kontroll aty.
Kurse, bëri të ditur se nuk kanë parë roje në këtë vend. Ndërsa, tha se nuk ka parë njerëz të ndaluar në atë vend.
Ai tha se e njeh Rrahman Dinin, për të cilin tha se e kishte parë edhe në dhjetor të vitit 1998 ku kishin qëndruar më gjatë bashkë.
Dëshmitari Ajeti tha se në prill 1999 e kishte parë më shumë gjatë ditës Dinin e nuk i kujtohet ku ka fjetur, ndërkaq për dhjetor të vitit 1998 tregoi se ku ka fjetur i njëjti në këtë kompleks në Zllash.
Po ashtu konfirmoi se e njeh Agron Xhemajlin që ishte pjesëtar i UÇK-së, e që e kishte takuar në dhjetor të vitit 1998. Ai tha se beson se e ka takuar të njëjtin edhe gjatë prillit të vitit 1999, por se vendi nuk i kujtohet saktë.
Tutje, dëshmitari tha se e njeh të akuzuarin Salih Mustafa. “Salih Mustafën e njeh prej diku gjysës së tetorit 1998, e njoh normal, atë kohë e kam njoft si Cali, jo si Salih Mustafa”, tha Ajeti.
Lidhur me prillin e vitit 1999, ai tha se nuk e ka parë në Zllash të njëjtin gjatë kësaj periudhe kohore.
Sipas tij, Mustafën, ai e ka takuar në tetor diku të vitit 1998 në Prishtinë, ato ditë kur dëshironin të lëshonin Prishtinën dhe me të plagosur e ka takuar në fshatin Koliq, në periudhë të luftës, që mendon se ka qenë data 21 ose 22 prill.
“Kur kemi mbërri në Koliq me të plagosur, ky ka ardh aty, e kam taku me një pjesë të plagosurve, se jemi shku grupe grupe dhe aty e kam taku në Koliq kur kemi tubu të gjithë të plagosurit. Kishim hallin qysh mi dërgu të plagosurit në Majac të Llapit dhe e di që ka kërku sa ma shpejtë me i nis të plagosurit dhe dikush që e din rrugën, unë jam kon njëri prej tyre se kam lëviz dhe qëndru në Majac. Unë me disa ushtarë i kemi marrë të plagosurit dhe i kemi nis në Majac dhe deri në Majac i kena përcjell gjithë të plagosurit”, sqaroi ai.
Deri në Majac, ai bëri të ditur se kishin bërë gati dy ditë për të shkuar.
Sa i përket njësitit BIA, dëshmitari tha se ka dëgjuar për të njëjtën dhe se ishte guerila e qytetit, që ka vepruar në kryeqytet. Po ashtu, tha se në një periudhë ka qenë anëtar i këtij njësiti.
Kurse, tha se pjesë e këtij njësiti mendon se ka qenë nga tetori ’98, kur ishte takuar në Prishtinë me Salih Mustafën e shokë të tjerë.
“Furnizimin me shumë gjëra, barna, veshmbathje, që i kanë çu në pjesë të Llapit e Gollakut”, tha ai se e bënte BIA.
Aktakuza ndaj Salih Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020, ku ngarkohet për krime lufte.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi