Dëshmitari Fondaj: Nuk ka pasur FARK në territorin e Kosovës

Prishtinë | 24 Qer 2024 | 14:53 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dëshmitari Kurtesh Fondaj tha se Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) të cilat pretendohet se kanë qenë krah ushtarak nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në territorin e Kosovës, nuk ka pasur në Kosovë.

Gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Fondaj tha se pjesa e ushtarëve që kanë qenë fillimisht nën Ministrinë e Mbrojtjes, kanë vepruar me emblemë të UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“FARK në territor të Kosovës nuk ka pas. Jam i sigurt. Pra, pjesa e ushtarëve që kanë qenë fillimisht nën Ministrinë e Mbrojtjes në territorin e Kosovës kanë vepru me emblemën e UÇK-së dhe kanë qenë nën komandën shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë”, tha dëshmitari.

Në një intervistë për ZPS-në, dëshmitari kishte thënë se Halil Çadraku sipas vijës komanduese është dashur t’i raportojë për punën e tij Ekrem Rexhës, por ai ka raportuar në fakt me sektorin e Shtabit të Përgjithshëm, përkatësisht me Kadri Veselin i cili ka qenë drejtuesi.

“Ekrem Rexha i ka pas disa ankesa nga komandantët e brigadave në interferim të punës së Halil Çadrakut sa i takon sektorit të Zbulimit dhe Kundërzbulimit në nivel të brigadave dhe Ekrem Rexha ia ka tërheq vërejtjen Halil Çadrakut duke i thënë se ti mundesh me shku dhe me u konsultu dhe me marrë këshilla, me marrë informacion nga shefat e sektorit të Zbulim-Kundërzbulimit nëpër brigada, por duhet ta kesh një urdhëresë nga unë që me atë urdhëresë me t’u leju ty nga komandantat e brigadave që ta kryjsh punën tande”, tha dëshmitari.

Fondaj tha se Çadrakut iu ka dukur që Ekrem Rexha me anë të kësaj forme po dëshiron ta bllokojë punën e sektorit të Zbulim-Kundërzbulimit. Ai shtoi se Çadraku nuk i ka ditë punët dhe përgjegjësitë që i ka pasur.

Pas kësaj, dëshmitari për dallim nga seanca përgatitore, tani thotë se nuk është në dijeni nëse Çadraku i ka raportuar Shtabit të Përgjithshëm.

“Nuk e di, ai realisht një shkresë e ka bërë në Shtabin e Përgjithshëm, i cili ju e keni këtu. Mirëpo a i ka raportu a s’i ka raportu nuk e di”, tha ai.

Më pas, prokurori Matt Halling kërkoi pranimin e disa dokumenteve që sipas tij janë sekuestruar nga Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, propozimi i cili u aprovua nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith.

Të ngjashme