Dëshmitari Kurtesh Fondaj tha se kishte dhënë dëshmi në mbrojtje të Blerim Kuçit në shkurt të 1999-ës, por që pyetjet ia kishte bërë Sokol Dobruna, që sipas tij ishte prokuror në këtë rast.
“Deklaratën… e kam dhënë në Divlakë,.. gjatë muajit shkurt të vitit 1999. Unë deklaratën e kam dhënë para Sokol Dobrunës dhe çdo herë jam i bindur që ai ka qenë prokuror në rastin e Blerimit. Pra, unë e kam dhënë deklaratën para tij në prezencën e avokatit mbrojtës të Blerim Kuçit, Agron Berisha dhe një procesmbajtës, respektivisht i cili ka evidentu komplet atë që kam fol dhe kam dhënë dëshmi në një fletore”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përpara kësaj, prokurori Matt Halling ia prezantoi dëshmitarit një dokument në të cilin shkruhej ‘aktakuzë’ e që kishte edhe disa pretendime për Blerim Kuçin.
“Këtë dokument e kam pa në fazën përgatitore që e kam bërë me juve z. Prokuror. Paraprakisht, nuk e kam pa këtë dokument. Po në bazë të kësaj që po shkruhet këtu, kryesisht kjo problematikë dhe unë si pjesëtar i UÇK-së e kam pas bindjen se për këtë problematikë po akuzohet Blerimi”, tha ai.
Matt Halling i tha dëshmitarit se përkrah dëshmitarëve (Habib Elshani dhe Ilaz Kadolli) në këtë çështje, figuron edhe emri i tij. Për këtë, dëshmitari tha se përveç tij ka qenë edhe Isuf Krasniqi i cili ka dhënë dëshmi bashkë më atë, por që në listë nuk është duke figuruar.
“Unë kam qenë por masi e përmendem me duket ka qenë edhe një dëshmitar i cili nuk po figuron se kur kam shku me dhënë dëshmi, me mu ka qenë edhe Isuf Krasniqi, edhe ai ka dhënë dëshmi. Këtu nuk qenka në këtë listë emri i tij. Unë po e për këta dy tjerët, nuk e di, po unë megjithatë po”, tha dëshmitari Fondaj.
Tutje, prokurori i prezantoi dëshmitarit një dokument Apeli që e ka dorëzu mbrojtja e Kuçit në të cilën shihej edhe një përmbledhje e deklaratës së Fondajt për këtë çështje. Lidhur me këtë dëshmitari pohoi se i ka thënë ato që lexohen në përmbledhje.
“Dikush i ka kërku komandantit të Zonës, Ekrem Rexhës dhe Ekrem Rexha me ka njoftu mua se duhet të shkosh në Kleçke për një deklaratë lidhur me Blerim Kuçin. Tani rrethanat se kush e ka kërku, tek e ka kërku nuk e di”, tha dëshmitari tutje.
Tutje, dëshmitari tha se ka pasur mundësi që mbrojtësi i Blerim Kuçit të ketë insistuar që ai të jep dëshmi.
“Unë i kam dhënë para tij. Ai mi ka shkru pyetjet edhe unë i kam dhënë përgjigjet në bazë të pyetjeve që m’i ka ba Sokol Dobruna edhe për mua ka qenë prokuror. Gjykatës se di qysh kish mujtë me m’ba pyetje mu me dhënien e deklaratës. Jam i bindur që kam dhënë dëshmi para prokurorit.
Më pas me kërkesën e prokurorit në prova materiale u pranuan disa dokumente që u tha që ishin sekuestruar prej Jakup Krasniqit e që sipas Hallin kishte një raport i policisë ushtarake i 16 janarit 1999 dhe një raport tjetër i së njëjtës ditë.