Dëshmitari i 85-të vazhdon dëshminë për ditën e tretë në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Prishtinë | 18 Sht 2024 | 14:40 | Nga Ekonomia Online

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të mërkurën po vazhdon dëshminë në sesion privat, dëshmitari i 85-të i Prokurorisë, i cili mban kodin W04737 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe sot është duke u marrë në pyetje nga trupi gjykues i përfaqësuar nga gjyqtari Christoph Barthe, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmia e këtij dëshmitari filloi të hënën dhe sipas përmbledhjes së Prokurorisë, ai është ish-anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Pashtrikut.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme